Aktualitet Politikë

Kryeministri Rama, afat kompanive të rregullojnë vetëdeklarimet me pagat!

Kryeministri Rama tha sot se “Prokuroria po heton në mënyrë intensive për publikimin e pagave dhe kush e ka bërë do të përgjigjet përpara ligjit”. Në konferencën e fundvitit me mediat, Rama shfaqi shpresën që së shpejti të ketë rezultate dhe kush e ka bërë, të përgjigjet para ligjit! Për atë që ndodhi me pagat, shefi i qeverisë u shpreh se mund të thuhet edhe se “jo çdo e keqe vjen për keq”. Tashmë, kompanitë që japin paga fiktive, kanë afat deri më 20 janar, të vetërregullojnë deklarimet.

Do të kërkojmë nga të gjithë kompanitë që japin paga fiktive të vetërregullojnë deklarimet. Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve do të nisë një letër për të gjithë tatimpaguesit me deklarime shqetësuese që rezultojnë në mospërputhje dhe deri në shkelje flagrante me kapacitet e tyre, duke u kërkuar të vetërregullohen me vetëdeklarimet e reja deri më 20 janar. Në rast mos vetëdeklarimi do të ketë hetim të thelluar. Për vetëdeklarim të pasaktë dënohen me gjobë e për evazion, dënohen me burg.

Si mund të rrisë pensionet një vend ku fasha më e lartë deklaron paga më të ulëta, është e pamundur! Procesi do të ndërtohet me hetim pasuror të të gjithë atyre kompanive e biznesmenëve që deklarojnë për punonjës paga minimale apo nën atë që paguhen. Kjo do të shoqërohet me reformë të re dhe të shpejtë, për të ndarë në një mënyrë teknike biznesin e vogël nga hapësirat që i japin atyre të fitojnë më shumë, dmth të bëjnë cirk.

Ndër të tjera, Rama paralajmëroi masa të reja për parandalimin e përhapjes së COVID-it në vend, por tha se “shpreson se nuk do të ketë mbyllje totale të vendit”.

Unë shpresoj jo, se nuk do të ketë një mbyllje totale. Por e gjitha kjo varet nga spitalet, mbylljet që po ndodhin jashtë, janë të lidhura me spitalet. Disa masa do t’i marrim me siguri, se nuk kemi rrugë tjetër.

Lidhur me zhvillimet në kampin demokrat që kanë kulmuar me rivalitetin Basha-Berisha, kryeministri nuk e fshehu ironinë e paralajmëroi “estradë”. Lulzim Basha zgjodhi t’i përgjigjet Ramës me fjalët e At Gjergj Fishtës: “Injoranca dhe krenaria shkojnë bashkë si shtati dhe hija”, – shkruan kreu demokrat në llogarinë e tij në Twitter.