Politikë

Kryeministri Rama apelon për qetësi!

Kryeministri Rama reagoi sot duke e cilësuar “çmenduri” ngjarjen e djeshme në Vaqarr ku përfaqësues të Partisë Demokratike akuzohen se dhunuan shoferin e një furgoni me ushqime, me pretendimin se po i shpërndante për fushatë zgjedhore.

Ndalimi i dhunshëm i disa iftareve mbrëmë nga paramilitarët e “mbrojtjes së votës” është një çmenduri e padëgjuar! Thirrja ime është qetësi, qetësi, qetësi, durim, durim, durim, besim, besim, besim! E diela do të shënojë fundin e mallkimit të së shkuarës mbi rrugën e shqiptarëve🙏

Policia procedoi penalisht Florenc Hoxhën, i akuzuar se ka ushtruar dhunë ndaj një 36-vjeçari.

Ish-Drejtori i Policisë Bashkiake të Tiranës, akuzohet për veprën penale “Plagosja e lehtë me dashje”.

Një ditë më parë, shtetasi Bledar Goga kërkoi ndihmën e uniformave blu duke denoncuar disa persona që sipas tij i kishin bllokuar rrugën në lagjen Ibra të Vaqarrit. Goga tha se u kërcënua të zbriste nga makina, me pretendimin se në automjet kishte produkte ushqimore që përdoreshin në këmbim të votës.

Nga veprimet e kryera rezultoi se ushqimet ishin përgatitur për t’ua shpërndarë për iftar besimtarëve myslimanë që agjërojnë në Muajin e Ramazanit.