Aktualitet

Kryeministri Rama bën dozën e tretë të vaksinës Pfizer, ka një apel!

Pasi sot në mjediset e Air Albania-s bëri dozën e tretë të vaksinës anti-COVID, Pfizer, kryeministri Rama apeloi që njerëzit t’i besojnë shkencës dhe jo atyre që i quajti “deliarantë në internet”.

Unë bëra sot vaksinën e tretë me zgjedhje të rastësishme, sepse nuk e kuptoj dot si në shekullin e 21-të nuk i besohet shkencës, por disa delirantëve në internet. U është hapur goja atyre që s’kanë lidhje me humanizmin dhe shëndetin publik. Kjo është skandaloze dhe e turpshme! Në vend t’i besosh shkencës e fakteve, se vaksina të mbron nga vdekja, çfarë mund të thuhet tjetër sot? Ju them sot edhe atyre që kanë biznese se nesër mund t’u mbyllet biznesi nga mosvaksinimi. Mund të vijë edhe vendimi që kush do të hyjë në Shqipëri, duhet të jetë i vaksinuar!

Nga sot, të gjithë qytetarët mbi 18-vjeç mund të vaksinohen me dozën e tretë të vaksinës, 6 muaj pasi kanë kryer të dytën. Në Shqipëri, 47% është mbulesa vaksinale me të paktën një dozë. 42% e popullatës target mbi 16-vjeç. Prej fillimit të vaksinimit janë kryer në total 2.111.797 doza të vaksinës ndaj COVID-19. Janë kryer 1.075.332 doza të para; 965.964 doza të dyta; 70.501 doza të treta.

Ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu gjatë fjalës saj në Kuvend bëri me dije se qeveria ka garantuar financimin për vaksinat, me qëllim përmbushjen e programit kombëtar të vaksinimit anti-COVID.Air Albaniua

Qeveria shqiptare ka garantuar vaksinat dhe ato janë të disponueshme për të gjithë popullatën e targetuar. Deri më sot, qeveria shqiptare ka financuar për blerjen e vaksinave anti-COVID 36 milion USD. Kemi parashikuar edhe 27 milion dollarë për vitin e ardhshëm, me qëllim përfundimin e programit kombëtar të vaksinimit anti-COVID. Kjo marrëveshje që sjellim sot për miratim lehtëson procedurat për vaksinat Pfizer që dhurohen nga shtetet e tjera, gjë që na ndihmon në rritjen e disponibilitetit të vaksinave në një kohë shumë të shpejtë.

Nga foltorja e Kuvendit, deputeti socialist, Erion Braçe kërkoi kushtëzimin e të gjitha aktiviteteve me vaksinimin anti-COVID.

Ka deputetë në këtë sallë që nuk janë vaksinuar. Po humbim kohë, të kushtëzojmë aktivitetet me vaksinimin, këtu po shkon gjithë Europa. Blejmë vaksina, bëjmë thirrje për vaksinim, e njerëzit nuk vaksinohen. Virusi vazhdon të qarkullojë te të pavaksinuarit. Vaksinim me detyrim për çdo aktivitet. Duke filluar nga kjo sallë, në administratën e shtetit dhe të gjithë të tjerët!

Në një tjetër zhvillim nga Kuvendi, persona me aftësi të kufizuar protestuan sot para Parlamentit, me kërkesën që të rimarrin ndihmën ekonomike prej 30.000 lekësh, pasi thonë se duan të jetojnë të pavarur ekonomikisht e t’izgjidhin vetë problemet me të cilat përballen.

Gjatë qëndrimit përpara, ata u takuan me kryeministrin Rama, i cili u zotua se do të dëgjohen nga ministrja e dikasterit përkatës për çështjet që kanë.

Të shohim se çfarë ka marrëveshja. Do t’i them ministres që t’ju takojë. Mos rrini më në shi! Do ta shikojmë marrëveshjen dhe besoj se brenda pak ditësh do t’iu kthejmë përgjigje. Nesër do të shkoj në SHBA dhe kur të kthehem do të komunikoj sërish me ju.

Një prej personave me aftësi të kufizuar deklaroi:

Kemi nevojë të jemi të pavarur ekonomikisht, të mos kërkojmë lëmoshë, na jepni mundësinë të jetojmë të pavarur!