Aktualitet

Kryeministri Rama hedh poshtë akuzat e Bashës për borxhin 200 milion euro!

Kryeministri Edi Rama deklaroi sot se 200 milion euro nuk janë borxh, por instrument për të mbrojtur shqiptarët. Në fjalën e tij në Kuvend, Rama citoi FMN-në, në deklaratën në përfundim të misionit:

Ekonomia e Shqipërisë ka treguar një qëndrueshmëri të konsiderueshme pas tërmetit të vitit 2019 dhe pandemisë. Pas vitit të vështirë 2020, aktiviteti ekonomik po ringrihet fuqishëm. Ashtu sikundër thotë: me një tjetër mandat, qeveria është e mirëvendosur për të adresuar sfidat dhe për të kërkuar mbështetjen e gjithë aktorëve të shoqërisë në funksion të qëllimit.

FMN thotë se pas një periudhe kontraktimi me 4% në 2020-ën, e cila është shumë më pak se çfarë ishte parashikimi fillestar dhe është ku e ku më pak se parashikimi juaj, ekonomia po ngrihet fuqishëm me rritje 7.8% në 2021 dhe mbaje shënim këtu, se do të jetë mbi 8%, nxitur nga mbështetja e vazhdueshme e politikave monetare dhe fiskale, nga rindërtimi, nga pakësimi i kufizimit të lëvizjes, etj.

Duke iu drejtuar kreut të opozitës, Lulzim Basha, Rama nënvizoi se 200 milion nuk janë borxh, por instrument garancie për të mbrojtur shqiptarët, jo për t’u faturuar krizën shqiptarëve, për të bërë të mundur që ajo kosto e rritur të mos shkojë në xhepin e familjeve shqiptare.

Duke folur për borxhin publik, shefi i qeverisë u shpreh:

Nëse ne do kishim borxhin publik jashtë kontrollit, në tregjet kapitale që nuk duan të dinë as me kë je, as sa ke në xhep, nuk do të marrim dot financim, jo borxh, financim, likuiditet. Kjo do të ndodhë shumë shpejt dhe ju do ta shikoni që Shqipëria jo vetëm do marrë financimin që do kërkojë, por do ta marrë financimin që kërkon, sepse siç thotë dhe FMN-ja, në tregjet e kapitaleve është një faktor pa risk, Shqipëria nuk është në atë gjendje kur ju ishit para se të largoheshit, se nuk ju financonte njeri.