Aktualitet

Kryeministri Rama kërkesë negociatorëve shqiptarë që në Bruksel të fitohet respekti edhe në aspektin teknik!

Pas çeljes së bisedimeve me Bashkimin Evropian, sot në një konferencë për mediat me ekipin negociator të drejtuar nga Majlinda Dhuka, kryeministri Rama tha se “misioni është që vendi të fitojë respektin edhe në aspektin teknik”. Në takimin ku gjithashtu merrte pjesë ministrja për Evropën dhe Punët e Jashtme, Olta Xhaçka, Rama kërkoi angazhim maksimal nga negociatorët.

Unë dua që në Bruksel, skuadra shqiptare të krijojë një përshtypje absolutisht pozitive. Dua që në Bruksel të flitet për seriozitetin, të flitet për këmbënguljen, të flitet për kapacitetet dhe të flitet për cilësinë e punës të skuadrës shqiptare.

Mjafton të kemi parasysh që vizitat tuaja në Bruksel e të përfaqësuesve të Komisionit këtu, janë të përjavshme, nuk janë të përdisamuajshme, por të përjavshme. Dhe është themelore që secila dhe secili prej jush, të garantojë me punën, me seriozitetin, me cilësinë e materialeve, me cilësinë e komunikimit dhe të ndërveprimit, që Shqipëria të shikohet me respekt në çdo hap. Atë respekt që kemi fituar në aspektin politik, tani duhet ta fitojmë në aspektin teknik.

Eshtë shumë e rëndësishme të theksoj se vendosja e kryenegociatores së re, faktikisht nënvizon ndryshimin e natyrës së marrëdhënieve mes nesh dhe Bashkimit Evropian përmes kryenegociatorit si urë. Ambasadori Mazi bëri një punë shumë të lavdërueshme diplomatike, duke qenë një krah shumë i rëndësishëm në këtë proces, për mua, për ministren deri në momentin kur u vendos që negociatat të hapen formalisht.

Nuk kemi pritur hapjen e negociatave, për të bërë shumë nga punët që të tjerë i bënë pasi u hapën negociatat. Faktikisht, kemi një pozicion të avantazhuar për shkak se e kemi bërë një pjesë të madhe të punës që përkon edhe me pjesën e fillimit zyrtar të negociatave. Por tani, natyra shumë teknike e procesit, kërkon pikërisht një profil shumë teknik.

Më bëri përshtypje dikush që kur doli emri i kryenegociatores, thoshte: “E kërkova në Google dhe nuk e gjeta”. Kjo është pikërisht arsyeja pse ka një ndryshim themelor. Ka shumë njerëz në administratën tonë që nuk i gjen në Google, por pa të cilët, administrata jonë nuk do të funksiononte dot. Janë pjesë e palcës së shtetit shqiptar.

Njerëz që mund të jenë në zyra qysh prej fillimit të viteve ‘90 edhe i kanë shërbyer shtetit me përulësi, me modestinë intelektuale të dikujt që është gjithmonë në hije, por sikur larg qoftë, të mos kishin qenë ata njerëz dhe gjithçka të kishte mbetur në dorën e atyre që hyjnë e dalin shpeshherë si në mallin e babait, këtu ne do ishim në një situatë si ajo pas tërmetit.

Gjithashtu, kryeministri Rama shprehu mendimin se “është e udhës t’i jepet jetë një Këshilli Ndërministror për Çështjet Evropiane”.

https://www.facebook.com/ediramaal/videos/474316314518530/