Aktualitet

Kryeministri Rama kritika SPAK-ut: “Të shkarkuarve nga vetting-u nuk iu hyn gjemb në këmbë!”

Sot në mbledhjen e Asamblesë Kombëtare të Partisë Socialiste, kryeministri Edi Rama u shpreh se “balanca jo në aspektin politik, por në aspektin e së drejtës nga SPAK-u, ende është shumë e shtrembëruar”. Në vëmendje, solli rastin e hetimit të Ardian Dvoranit, “gjykatës i vlerësuar nga Sekretari Amerikan i Shtetit, si një ndër kampionët në luftën globale kundër korrupsionit”.

SPAK ka pasur shpejtësinë e rrufeshme dhe gatishmërinë e jashtëzakonshme për të vepruar minutë për minutë, që të bllokojë Ardian Dvoranin, njeriun e vlerësuar nga Sekretari Amerikan i Shtetit, si një ndër kampionët në luftën globale kundër korrupsionit, që të mos e lejonte të hynte në proces për t’u promovuar si gjykatës. SPAK-u, në mënyrë të rrufeshme, a thua se ishte i koordinuar si sahat zviceran, me atë zotërinë që për pak ditë ose javë do të largohet më në fund nga zyra e Presidentit të Republikës. Çështje në hetim, gjë të cilën pastaj procesi gjyqësor e çmontoi dhe e shfryu si flluskë sapuni. Po nëse ky sahat zviceran do të ishte vërtet i pakonkurrueshëm në precizionin e tij, sa gjykatës e prokurorë të nxjerrë jashtë nga vetting-u për pasuri marramendëse të pajustifikuar dhe të pajustifikueshme do të ishin sot në burg?

U bë kohë që pashkaqenët e mëdhenj të sistemit e drejtësisë, vetting-u i ka flakur përjashta. Ku janë ata sot, me çfarë marren? Ata janë në punën e tyre dhe asnjë gjemb në këmbë nuk i ka hyrë, ndërkohë që Bashkimi Europian ia ka lënë Shqipërisë me shkrim për të vazhduar procesin dhe në momentin që Shqipëria do të ulet në tryezën e negociatave, gjëja e parë që do të thonë do të jetë: na tregoni pak sa gjykatës dhe prokurorë të korruptuar janë marrë në hetim dhe çuar para drejtësisë? Zero!

Sipas kryeministrit Rama, “e kundërta është e vërtetë”.

Kampioni i antikorrupsionit, me vulë dhe me firmë të Sekretarit Amerikan të Shtetit është futur në hetim nga SPAK-u, për një denoncim të atij që jo unë, por që gjithë Shqipëria mezi pret ta shohë para SPAK-ut, Ilir Metës!