Aktualitet

Kryeministri Rama: Kryebashkiakët, përgjegjës për sjelljen e vartësve!

Në një takim pune në Pogradec me kryebashkiakët e vendit, kryeministri Rama foli për zgjedhjet vendore të vitit të ardhshëm, duke veçuar rëndësinë e posaçme që do të kenë.

Shqipëria sot nuk ishte ajo që ishte përpara deri disa ditësh. Shqipëria sot është një vend që ka çelur negociatat me BE-në dhe që politikisht është ngritur në një nivel tjetër në marrëdhëniet me botën, në marrëdhëniet me Evropën, në marrëdhëniet me vetë rajonin, por që duhet të ngrihet në një nivel tjetër dhe në raport me vetveten. Dhe kjo e fundit është e para në fakt dhe është kryesorja.

Negociata nuk janë një shëtitje në lëndinë, janë një e përpjetë shumë e thepisur me sfida të jashtëzakonshme, me kërkesa shumë strikte e shumë të forta dhe me detyrime që përbëjnë një barrë të madhe për secilin dhe për secilën që ka një funksion publik, qoftë si i zgjedhur apo e zgjedhur, qoftë si i besuar apo e besuar në të gjithë piramidën e administratës shtetërore e patjetër dhe për vetë shoqërinë, për vetë komunitetin.

Kur flasim për komunitete, flasim për qeverisje vendore. Dhe kur flasim për qeverisje vendore, flasim për bashkitë dhe njësitë administrative. Dhe kur flasim për bashkitë dhe njësitë administrative flasim për PS-në, sepse jemi ne që qeverisim në të gjithë territorin. Dhe e vërteta është që qeverisja jonë në të gjithë territorin nuk është uniforme në aspektin e cilësisë, është e larmishme do thoja. Kemi bashki që janë shembullore. Kemi bashki që janë të mira, kemi dhe disa bashki që janë problematike. Dhe të qenit bashki problematike, për PS-në do të thotë të qenit e PS-së, problematike për qytetarët.

Ndërsa lëvdoi punën e bërë në bashkitë Lezhë, Cërrik, Belsh, Mat e Shijak, por sërish nuk i kurseu kritikat kur u ndal te Vlora.

Ndërkohë, kemi bashki si Vlora, që ka pasur një vëmendje të veçantë me të drejtë nga qeveria, por që ka një kryetar bashkie, i cili fle gjumë. Vlora që me gjithë atë potencial që ka dhe me gjithë atë mbështetje që ka, nuk duhet ta diskutonte të qenit xixë në mëngjes, në drekë, në darkë. Minimalisht, xixë!

Shefi i qeverisë theksoi:

Raporti me qytetarët është “A”-ja. Ç’vlerë ka të shkosh në prag të zgjedhjeve dhe të kërkosh votën te qytetari, ndërkohë je kryetar bashkie dhe nuk i garanton çdo ditë t’u hapin derën nëpunësit e tu, e t’u ulen në gjunjë njerëzve? Kur ti nuk garanton që të kesh zyrtarë që ta dinë që “A” dhe “Zh” është kujdesi dhe sjellja ndaj qytetarëve. Jo vetëm e zyrtarëve të bashkisë.

Ti si kryetar bashkie duhet të jesh i alarmuar, nëse një drejtor i një institucioni të qeverisjes qendore në qytetin tënd nuk sillet korrekt. Ti si kryetar bashkie duhet të çohesh dhe të thuash: o unë, o ky këtu, sepse për të flet gjithë qyteti. Të jesh kryetar bashkie do të thotë të jesh mbrojtësi numër një, avokati i qytetarëve në raport me nevojat që ata kanë nga institucioni që ti drejton, por edhe avokati numër një, edhe nga të gjithë zyrtarët e tjerë.

Pse, nuk e di kryetari i bashkisë, kur posta bën zullume me pensionistët? Sa më të vogla të jenë realitetet e bashkive, aq më shumë gjërat dihen. Si mund të pranojë kreu i bashkisë të dëgjojë se posta luan me pensionet? Deri sa pensionet nuk do të jenë më me cash, kush do ti mbrojë pensionistët nga disa grabitqarë që meritojnë të jenë vetëm në një vend, por jo në zyrat e postës?