Aktualitet

Kryeministri Rama në Austri: Vendi më i mirë për të marrë veten nga mbledhjet depresive të Brukselit!

Në Austri ku ndodhet për vizitë, kryeministri Edi Rama është i ftuar në Forumin Evropian Wachau për temën “Ruajtja e së ardhmes së Evropës dhe zgjerimi i BE-së”. Në fjalën e tij, shefi i qeverisë theksoi:

Ky më duket vendi i përsosur për të diskutuar Evropën dhe Ballkanin Perëndimor. Në këtë lloj kryqëzimi ku disa prej shkallëve shkojnë lart, disa zbresin poshtë dhe ne jemi në mes.

Po ne mund ta ngrejmë njëri-tjetrin, por po kështu mund ta ulim njëri-tjetrin poshtë. Disa njerëz e  kuptojnë vërtetë mirë, disa të tjerë kanë nevojë për më shumë shtysë që ta kuptojnë. Sepse faktikisht, sot BE-ja ka nevojë për Ballkanin, po aq sa Ballkani ka nevojë për BE-në.

Nuk ka vend më të mirë se Austria, për të marrë veten nga mbledhjet depresive të Brukselit. Në të vërtetë, nuk falënderoj dot sa duhet Kancelarin për mikpritjen e tij të shkëlqyer. Ai është këtu me ne, është ulur krah meje, njësoj siç ulet krah meje në Këshill, pasi Shqipëria dhe Austria nisin me shkronjën A. Por është më tepër sesa rastësi. Sepse kam krah meje udhëheqësin e një vendi që kahera ka qenë mbështetës i Ballkanit Perëndimor dhe i Shqipërisë. Faleminderit Karl! Zoti të bekoftë!

Ndihem i keqardhur për BE-në! Ndihem vërtetë i keqardhur! Shumë njerëz i komentuan ato çfarë thashë në konferencën për shtyp dhe atë çka ne shprehëm pas daljes nga takimi si një zemëratë të madhe. Po, mund të jetë! Por, nuk ka të bëjë me ne, ka të bëjë me BE-në!

Shefi i qeverisë Rama përfaqësoi Shqipërinë në samitin e para dy ditëve në Bruksel, mes BE-së e Ballkanit Perëndimor. Në kryeqendrën evropiane ku dha edhe një konferencë shtypi me homologun maqedonas Kovaçevski e presidentin serb, Vuçiç, kryeministri kritikoi ashpër, si Bashkimin Evropian, ashtu dhe Bullgarinë, duke theksuar se “një vend i NATO-s merr peng dy vende të tjera të NATO-s, ndërkohë që në oborr të Evropës ka një luftë dhe po ashtu nën sytë e 26 vendeve që janë krejt të pafuqishme së bashku”.

Gjithashtu, shpërtheu ndaj BE-së për atë që e quajti “pengmarrje të Kosovës”, duke mos i miratuar liberalizimin e vizave, të rekomanduar prej 4 vitesh nga Komisioni Europian.