Aktualitet

Kryeministri Rama në Bruksel, nuk pret zgjidhje në Bullgari!

Për kryeministrin Rama “sot është një ditë e re në Europë, por jo në Bullgari”. “Sa turp për Europën kjo çështje bullgare! Në mes të një lufte shumë të nxehtë në oborrin e pasmë të Europës, një vend i NATO-s rrëmben dy vende të tjera të NATO-s nën mbikëqyrjen e 26 vendeve të BE-së që qëndrojnë të qetë në një shfaqje të frikshme impotence!”, – shkruan shefi i qeverisë ndërsa ndodhet në Bruksel për samitin mes Bashkimit Europian e Ballkanit Perëndimor.

Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut presin hapjen e negociatave, çka kërkon heqjen e vetos nga Bullgaria, ku dje u rrëzua qeveria. Kabineti i kryeministrit Petkov nuk i mbijetoi një mocioni mosbesimi në Parlament. Në Bruksel, Rama iu përgjigj interesimit të gazetarëve nëse rënia e qeverisë bullgare i shton shpresat për Shqipërinë, lidhur me “çlirimin” e procesit të integrimit e përsëriti se nuk pret të zgjidhet gjë në Bullgari.

Unë jua kam thënë edhe po e përsëris. Përkundër optimizmit të ngutur të disave edhe këtu në Bruksel nuk pres të zgjidhet asgjë në Bullgari. Por, ndërkohë që sigurisht që nëse do të zgjidhet do të jetë një motiv për të marrë frymë të lehtësuar nga kjo pengmarrje e një vendi të NATO-s ndaj dy vendeve të NATO-s në kulmin e një lufte të nxehtë në kufi të Europës dhe nën vështrimin e 26 vendeve të tjera që shohin si yjet që rrinë e vështrojnë në atë romanin e famshëm të Archibald Cronin.

Rama shtoi se “Ballkani i Hapur” është përgjigjja:

“Ballkani i Hapur” është përgjigjja ndërkohë që ne do të vazhdojmë te ecim në rrugën e integrimit sepse nuk ka alternativë tjetër. Por, ne duhet të ndërtojmë shpirtin europian në rajonin tonë. Ne nuk duam që rajoni ynë të mbetet prapa apo të bëjë hapa pas. “Ballkani i Hapur” është i hapur për të gjithë!

Me zbehjen e shanseve që Maqedonia e Veriut e Bullgaria të mund të rregullojnë dallimet dhe zero shpresa që Kosova të përfitojë liberalizimin e vizave, Ballkani po shkon drejt një tjetër zhgënjimi të mundshëm sot në Bruksel. Bosnja nuk do të marrë statusin e kandidatit, pasi shumica dërrmuese e vendeve anëtare të BE-së besojnë se nuk ka kryer reforma të mjaftueshme vitet e fundit.

Ky samit do të jetë i fokusuar në zgjerimin e BE-së, por ideja e rritjes së anëtarësimit, ende i lë disa vende paksa të turbulluara. Kjo është arsyeja pse sonte në një darkë, liderët e Unionit do të diskutojnë edhe idenë e fundit të presidentit francez, Emmanuel Macron, për një Bashkësi të re Politike Europiane.

Dokumenti francez, i shpërndarë javën e kaluar në Bruksel, bën thirrje për krijimin e një organi të ri politik me kompetenca vendimmarrëse. Ai do të mblidhet disa herë në vit në nivele të ndryshme politike e pritet të jetë i hapur për të gjitha shtetet europiane që siç thuhet “ndajnë një grup të përbashkët të vlerave demokratike”. Parisi është përpjekur të shpjegojë se “nuk zëvendëson zgjerimin e BE-së”. Disa shtete janë shumë të kujdesshëm, nga frika se Ukraina dhe vendet e Ballkanit Perëndimor, do të mbeteshin përgjithmonë në një lloj “gjysme të rrugës” drejt BE-së.