Aktualitet

Kryeministri Rama në Peshkopi, “Të rikonfirmojmë kryebashkiakun!”

Nga Peshkopia, kryeministri, njëkohësisht kryetar i Partisë Socialiste, Edi Rama deklaroi: “jemi këtu për një rrugë të gjatë, për të arritur objektivat dhe për ta bërë Shqipërinë e 2030-ës, vendin që e meritojnë të gjithë”. Në kuadër të turit të takimeve për përzgjedhjen e drejtuesve të rinj vendorë në 61 bashkitë e vendit, Rama u shpreh:

Arsyeja pse ne kemi qenë të suksesshëm në raport me gjithë të tjerët, por edhe në raport me vetveten është se ne nuk kemi fjetur mbi dafina pasi kemi fituar zgjedhjet, por kemi filluar të reagojmë në radhë të parë duke parë mirë rezultatet e duke u përpjekur të lexojmë rezultatet ashtu siç duhet, duke mos u kënaqur me atë që kemi arritur e duke shtrirë reagimin tonë në procese ripërtëritje të PS-së.

Partia është një trup që ka nevojë të ushtrohet vazhdimisht për të qenë i shëndetshëm, për të qenë në lartësinë e sfidës dhe i cili ka nevojë vazhdimisht për gjak dhe për energji të reja, për të shikuar përtej pikës ku ka mbërritur.

Nuk është e rastësishme që këtë herë, procesi i zgjedhjeve në parti është ndryshe, ka një risi si rezultat i një analize dhe debati të ndershëm. Eshtë e rëndësishme të fuqizojmë fuqinë e jetës në PS, të rrisim shkallën e përgjegjësisë në anëtarësimin e PS-së lidhur me arsyet pse ne jemi pjesë kësaj familjeje, lidhur me qëllimin, aspiratat, ëndrrat e shpresat e njerëzve që kjo familje politike duhet t’i mishërojë si shembulli më i mirë dhe i besueshëm.

Rama bëri të ditur se është e rëndësishme që ky proces të zhvillohet deri ne fund, për ata që kanë ambicie për të marrë një rol në parti.

Kudo ku ne kemi kandidatura të mira, të cilat vlerësohen me nota pozitive nga Komisioni i Posaçëm që ka ngritur kryesia e PS-së për të bërë seleksionimin e kandidatëve dhe qëllon që këto kandidatura janë një grua e një burrë apo një djalë e një vajzë, ne do vazhdojmë drejtimin e partisë me një kryetar burrë apo djalë dhe grua apo vajzë. Kudo ku organizatat e partisë janë të bashkëdrejtuara dhe me barazi gjinore në drejtim, rezultatet janë më të mira.

Duke folur për zgjedhjet e ardhme vendore, nënvizoi:

Ta rikonfirmojmë kryetarin e bashkisë në zgjedhjet e ardhshme vendore, pasi ai është një drejtues që do të bëjë shumë punë dhe ne do e mbështesim shumë, por duhet të rimarrim ato tre mandatet tona në zgjedhjet e ardhshme të përgjithshme.