Aktualitet Politikë

Kryeministri Rama: “Në prill zgjedhim Presidentin e Republikës!”

Sot në mbledhjen e grupit socialist, kryeministri Rama tha se “kjo maxhorancë ka detyrimin t’i japë një President normal vendit”.

Në muajin prill zgjedhim Presidentin e Republikës. Krijimi i dy partive Demokratike na e bën të vështirë të gjejmë adresën se ku duhet ta kërkojmë dialogun me opozitën. Por ne duhet të mendojmë edhe mënyrën si mund të këshillohemi me qytetarët edhe për këtë vendimmarrje.

Duhet të marrim opinionet e njerëzve për figurën e Presidentit të Republikës, pas disa figurave që e kanë degraduar figurën e kreut të shtetit. Ne duhet t’i japim shqiptarëve një njeri moral, që t’i kthejë identitetin njerëzor, moral dhe institucional zyrës së Presidentit të Republikës. Do ta gjejmë këtu brenda territorit tonë, por edhe territorit shpirtëror të kombit shqiptar, se mund të jetë edhe jashtë Shqipërisë.

Por, detyrimin e kemi të zgjedhim një njeri normal. Prandaj unë do t’ju lutesha të gjithëve të mendojmë në këtë sens. Dhe kushdo që ka ndonjë ide ta ndajë atë me drejtuesit e grupit.

Rama dha porositë për zgjedhjet e pjesshme të 6 marsit në bashkitë Durrës, Shkodër, Vorë, Dibër, Lushnje e Rrogozhinë, ndërsa ironizoi Berishën, Bashën e Metën.

Tre lider njëri grata, tjetri non grata, i treti të dyja bashkë dhe grata dhe non grata. Tre popuj nga mbrapa tyre, populli i 11 dhjetorit, populli i 18 dhjetorit, të dy në sherr për vulën e 8 janarit dhe populli i 2 marsit, padyshim i treti i vërteti që merr jetë nga sherret mes të parit dhe të dytit. Kjo është oferta për demokratët dhe demokratet dhe për të gjithë ata që ende fatkeqësisht dhe gabimisht e quajnë veten pjesë të këtyre tre popujve, ndërkohë që populli shqiptar është i qartë besoj për gjithçka sheh. Në emër të këtyre 3 popujve do thirren 6 fushata të gjithë bravaxhinjtë, qysqinxhinjtë dhe trastaxhinjtë për t’i kërcyer në kurriz të njëri-tjetrit. Tamam si në atë lojën e vjetër që e mbajnë mend ata të gjeneratës time në oborr e shkollave në Tiranë “Raqi raqi kiki ko, sa gishta janë këtu”.

Teksa rraqet do hidhen mbi njëra tjetrën duke i kthyer 6 bashki në rraqe që duhen kapur e duhen marrë për të mos u ndarë, ne duhet të shikojmë punën tonë derë më derë në të gjitha lagjet e bashkive me deputetë përkatës, me partinë në atë territor, me kujdesin më të madh për të mos promovuar turizmin elektoral me deputetë që nisen atje për medemek mbështetje. Dhe natyrisht me një program shumë të mirë caktuar se kur e për çfarë mund të shkojnë në këto fushata dhe të tjerët, përfshirë unë personalisht. Jo mitingje masive në salla të mbyllura, por punë kokë më kokë me njerëzit!