Aktualitet

Kryeministri Rama në takimin e NATO-s, takim me presidentin Biden!

Në Madrid të Spanjës ku ndodhet për të marrë pjesë në punimet e Samitit të NATO-s, para nisjes së seancës plenare, kryeministri Edi Rama u takua me presidentin amerikan, Joe Biden. Gjithashtu, në rrjetet sociale publikoi momente nga takimi me mikpritësin Pedro Sánchez, Kryeministër i Mbretërisë së Spanjës, si dhe Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s, Jens Stoltenberg.

Fjala e hapjes së Samitit mbahet nga kreu i Aleancës, Stoltenberg, ndërsa kreu i qeverisë së Mbretërisë së Spanjës Pedro Sanchez, do të mbajë një fjalë përshëndetëse.

Samitit do t’i adresohet online edhe presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, i cili pritet të kërkojë vazhdimin e mbështetjes ndaj vendit, sidomos me armatime, për të luftuar me rusët.

Pas përfundimit të seancës plenare, kryetarët e shteteve dhe të qeverive, pjesëmarrës në samit do të vizitojnë ekspozitën e teknologjisë së NATO-s. Pasditen e sotme, Kryeministri Rama dhe bashkëshortja e tij Linda Rama do të vizitojnë Muzeun Kombëtar Prado, në Madrid, e më pas kryeministri Rama do të marrë pjesë në darkën e shtruar nga shefi i qeverisë së Mbretërisë së Spanjës, Pedro Sanchez.

Samiti i NATO-s do të vijojë punimet nesër, në ditën e dytë të tij e ku kryeministri Edi Rama do të marrë pjesë, së bashku me ministren për Europën dhe Punët e Jashtme, Olta Xhaçka dhe ministrin e Mbrojtjes, Niko Peleshi.

Në këtë seancë, samitit do t’i drejtohet edhe Presidenti i Asamblesë Parlamentare të NATO-s, Gerald Connolly. Në ditën e dytë të punimeve të këtij samiti, kryeministri Rama do të zhvillojë një takim bilateral me kryeministren e Suedisë, Magdalena Andersson. Vendi i saj e Finlanda duhet të bindin Turqinë që të mos i vendosë veto anëtarësimit në Aleancë të dy vendeve nordike.

Në përfundim, Kryeministri Rama do të marrë pjesë në ceremoninë e nënshkrimit të marrëveshjes me Enagás, e cila është një kompani spanjolle energjetike dhe operator europian i sistemit të transmetimit, i cili zotëron e operon rrjetin e gazit të Spanjës.