Aktualitet

Kryeministri Rama në Ukrainë, publikon foto të zonave të bombarduara nga rusët!

Kryeministri Edi Rama dhe homologu i tij i Malit të Zi, Dritan Abazoviç po zhvillojnë një vizitë në Ukrainë, me ftesë të presidentit të vendit, Volodymyr Zelenskyy. Shefat e qeverive të Tiranës dhe Podgoricës, Rama e Abazoviç udhëtuan mbi 12 orë me tren nga qyteti i Pshemishit në Poloni, nga ku u bë nisja për në Ukrainën e sulmuar nga Rusia prej datës 24 shkurt, teksa sot është dita e 112-të e luftës.

Në këtë vizitë, shefi i ekzekutivit Rama, shoqërohet edhe nga ministrja e Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin, Elisa Spiropali. Ndërkohë, në rrjetet sociale, kryeministri i vendit ka publikuar foto nga zonat e bombarduara të Borodyankas e Irpinit në Ukrainë.

Më pas, raportohet se Rama e Abazoviç do të vizitojnë ekspozitën me dëshmi të luftës ruso-ukrainase e në vijim do të priten në takim nga kreu i shtetit Zelenskyy. Në përfundim të këtij takimi është planifikuar edhe një konferencë e përbashkët për shtyp mes tre liderëve.  Po ashtu, pjesë e axhendës së Ramës janë takimet e sotme me kryeministrin e Republikës së Ukrainës, Denys Shmyhal, si edhe me kryetarin e Bashkisë së Kievit, Vitali Klitschko.

Shqipëria dhe Mali i Zi janë mes vendeve të Ballkanit Perëndimor që iu bashkuan sanksioneve perëndimore kundër Moskës, për luftën në Ukrainë. Më 3 maj, Zelenskyy iu adresua Kuvendit të Shqipërisë në një lidhje video dhe nga Tirana zyrtare kërkoi të mbyllë portet shqiptare për anijet ruse e po ashtu, të kufizojë ardhjen e turistëve nga Rusia në Shqipëri.

Ushtria ukrainase po pëson ato që përshkruhen si “humbje të dhimbshme” në rajonin lindor të Donbasit e gjithashtu, në të tjera zona të vijës së frontit në Ukrainë. Këtë e bëri të ditur presidenti Volodymyr Zelenskyy, në një mesazh të fundit video, të publikuar mbrëmjen e djeshme. Prej shumë muajsh, ofensiva e Moskës po përqendrohet në lindje.