Aktualitet

Kryeministri Rama: “Nuk ka marrëveshje sekrete për Butrintin!”

Sot në Kuvend, kryeministri Rama deklaroi se “nuk ka asnjë marrëveshje sekrete për parkun e Butrintit”. Gjatë diskutimeve në seancë plenare, Rama replikoi me Ina Zhupën. Deputetja demokrate po fliste për të drejtën e informimit dhe u ndal te çështja e Butrintit, për të cilën më herët ka pasur debate me ministren e Kulturës, Elva Margariti.

Zhupa: Butrinti do të jepet me koncesion. Pasuria kombëtare, trashëgimia kulturore, identiteti jonë kombëtar janë në rrezik, për t’i dhënë një fondacioni privat që ka 4 individë privatë dhe ministren e Kulturës. Shteti e lëshon Butrinitin, që është siti arkeologjik i vendit, prodhon më shumë para’, ka më shumë vizitorë. Deri tani në arkën e Butrintit janë 2 milion dollarë që do i kalojnë fondacionit, që do e marrë në menaxhim.

Rama Në teatrin antik të Butrintit, ju i keni njohur pronën një subjekti fizik. Keni pranuar se sot në Shqipëri jeton stër, stër, stër, stër, stërnipi i atyre që ndërtuan teatrin antik. Këta jeni ju, budallallëku në familjen tuaj është sëmundje ngjitëse se nuk ka si shpjegohet ndryshe që të trashëgohet brez pas brezi. E keni në ADN-në e partisë tuaj që të trashëgoni budallallëkun brez pas brezi e që ta bazoni të gjithë përsiatjen tuaj politike mbi të marrurit të njerëzve për budallenj. Prandaj jeni katandisur kështu, prandaj do të katandiseni edhe më keq se kështu.

Këtu nuk ka asnjë marrëveshje sekrete dhe se çfarë do të bëhet me Butrintin e vendosim ne që kemi shpëtuar Butrintin nga ju. E mbaj mend shumë mirë sikur të ketë ndodhur dje se ç’ishte Butrinti nga pikëpamja e gjendjes kur unë jam bërë ministër i Kulturës dhe kur krijuam për herë të parë Bordin e Administrimit të Butrintit me Fondacionin e Lordëve Rothschild dhe Sansbury. Fondacioni në fjalë u krijua nga bashkërendimi mes Fondacionit Shqiptaro-Amerikan dhe qeverisë së Republikës së Shqipërisë. E dini kush është Fondacioni Shqiptaro-Amerikan, apo ngaqë ju ka zënë sytë lufta me Amerikën, çdo gjë amerikane ju duket problem.

Juve këtu nuk po akuzoni ministren e Kulturës, ju këtu po akuzoni se Fondacioni Shqiptaro-Amerikan, një fondacion me qindra miliona dollarë, që janë kontribut i një grupi njerëzish që jetojnë në SHBA, që mbledhin fonde për Shqipërinë, që ju siguroj se nga pikëpamja ekonomike janë absolutisht ok, nuk kanë asnjë problem, na paska hyrë në një marrëveshje sekrete me qeverinë e Republikës së Shqipërisë, për të hapur bare dhe restorante në Butrint. Për ju, bari dhe restoranti janë akoma sot e gjithë ditën, e vetmja mënyrë si e shikoni fillimin e konvertimit të politikës në para’, sepse ju jeni autorët e kioskave.

Patjetër që Butrinti do të ketë dhe aktivitete fitimprurëse, patjetër! Nuk diskutohet, ky nuk është mëkat! Por, ju duhet të shikoni se për çfarë parashikohet se do të përdoren fitimet. Do të përdoren për Butrintin. Nuk janë fitime që do merren e do shkojnë në Amerikë, nga baret dhe nga restorante që do të ndërtohen në Butrint.

Parku i Butrintit do të jetë edhe e para zonë, e cila do të hyjë në hartën e zonave pa asnjë përqindje karboni, pra komplet e gjelbër, carbon-free. Për këtë, jemi shumë krenarë!

Kreu i grupit demokrat, Enkelejd Alibeaj i kërkoi kryetares së Kuvendit, Lindita Nikolla që të sanksionohet kryeministri Rama për gjuhën e përdorur.

Duhet sanksionuar nga juve pavarësisht se është ulur poshtë jush. Për historinë e budallenjve apo të hajdutëve, këtu mund të jenë shumë të rinj dhe në kohën kur zotëria ishte ministër Kulture, ikonat i çoi në Gjermani dhe nuk u kthyen kurrë këtu. Për procedurë po them, për të kthyer seriozitetin e diskutimit në këtë sallë dhe për të folur për gjërat që i interesojnë shqiptarëve dhe jo budallenjve siç pretendon ai, të flasë nga Ina Zhupa. Pres sanksionet për deputetin Rama, vetëm gjendja mendore e rënduar e shpëton nga sanksioni!

Zhupa iu përgjigj Ramës për çështjen e Butrintit duke i thënë se “do ta çojë në SPAK”. Më tej, ngriti pyetje se përse në planin e menaxhimit nuk u përfshi asnjë ekspert apo studiues shqiptar?

Qeveria po e trajton Butrintin si mall tregtar, ndaj të mos çuditet askush që të blihen bileta avioni për të justifikuar milionat.