Aktualitet

Kryeministri Rama për Bullgarinë: Hiqni veton ose më duroni!

Kryeministri Edi Rama reagoi sot pas deklaratës së Ministrisë së Jashtme të Bullgarisë, që kërkoi të ruhet një ton i mirë komunikimi, referuar komenteve të tij në Bruksel se një vend i NATO-s ka marrë peng dy shtete të tjera të NATO-s. Në një postim në rrjetet sociale, shefi i qeverisë i bëri thirrje Bullgarisë të heqë veton, në procesin e çeljes së negociatave.

Oh! Ministria e Jashtme e Bullgarisë ka një problem me mënyrën time të të folurit! Mjaft e drejtë. Edhe unë kam një problem me mënyrën se si Bullgaria dëshiron të zgjidhë çështjet biletarale duke përdorur procesin e zgjerimit si mjet për pengmarrjen e dy vendeve të NATO-s! Merreni lehtë miq: Hiqni VETO-n ose më duroni mua!

Dhe meqë ra fjala, më lejoni t’ju kujtoj të dashur miq bullgarë se u desh një telefonatë e shkurtër me Boyko Borissov për të zgjidhur miqësisht dhe sinqerisht çështjen e minoritetit bullgar në Shqipëri! Miqtë e vërtetë nuk dëmtojnë njëri-tjetrin, por flasin me të vërtetë me njëri-tjetrin dhe i japin dorën.

Më herët gjatë ditës, Sofja zyrtare kërkoi që kreu i qeverisë së Shqipërisë, të përshtasë gjuhën që i shkon një politikani kandidat në BE.

Bullgaria ka qenë gjithmonë ndër ato shtete anëtare të BE-së që mbështesin identitetin europian të popullit shqiptar. Ne mbështetëm perspektivën evropiane të Shqipërisë dhe fillimin e negociatave të anëtarësimit në BE atëherë kur ishte shumë më e vështirë se sot.

Ndër vite nuk ka pasur shumë zëra të tjerë me ne në këtë kauzë. Ne ende e mbështesim, pavarësisht gjithçkaje, për hir të një të ardhmeje të përbashkët evropiane. Në përgjigje, jo për herë të parë, kemi dëgjuar cilësime të pakundërshtueshme të rënda, fyese nga një kryetar qeverie.

Sulmet me një gjuhë kaq të ulët nuk mund të justifikohen më me karakteristikat dhe mungesën e aftësive evropiane të komunikimit. Presim që kryeministri shqiptar të marrë parasysh mjetet e tij shprehëse në një gjuhë që i përshtatet një politikani të një vendi kandidat për anëtarësim në BE. Në këtë nivel, më shumë se çdo gjë tjetër, ne insistojmë të mbajmë një ton të mirë komunikimi.

Në këtë nivel është dëshmuar gjithmonë nga ana jonë i gjithë respekti që kërkon pozicioni përgjegjës dhe niveli i marrëdhënieve ndërshtetërore. Ne kemi një të ardhme të përbashkët me Shqipërinë. Politikanët ikin, por kombet po qëndrojnë. Popujt tanë kanë një interes të përbashkët që nuk duhet të pengohet nga një gjykim i gabuar i politikanit. Eshtë e papranueshme që marrëdhëniet mes dy vendeve të mbahen peng nga gjuha e kryeministrit aktual shqiptar.