Aktualitet

Kryeministri Rama për “La Repubblica”, flet nëse do të bashkëpunojë me PSD-në dhe i përgjigjet opozitës!

Ndërsa Partia Socialiste që drejton siguroi mandatin e tretë qeverisës në zgjedhjet parlamentare të 25 prillit duke fituar 74 nga 140 vende në Kuvendin e ri, kryeministri Rama dha një intervistë për gazetën e njohur italiane “La Repubblica”.

Rama u pyet nëse do të qeverisë me mbështetjen e socialdemokratëve të Tom Doshit?

Hera e tretë ishte më e vështira, por edhe më e bukura! Ne kemi fituar një shumicë absolute kështu që nuk kemi nevojë për mbështetje. Ndoshta mund të kishim një diferencë më të madhe, por këtë herë Shqipëria votoi me një sistem të ri zgjedhor, me lista dhe preferenca gjysmë të hapura dhe kishte shumë vota të pavlefshme. Shumë njerëz nuk kuptuan se si të votonin. Ata na zgjodhën ne si parti, por u dhanë përparësi kandidatëve të tjerë dhe vota iu quajt e pavlefshme.

Sa i përket akuzave të opozitës për mashtrim e shit-blerje të votave, Rama shprehet:

Këtë herë kemi pasur katër ose pesë sondazhe dhe ndryshe nga e kaluara, të gjitha ishin në përputhje me rezultatin. “Piepoli” ia qëlloi tamam por edhe anketuesit grekë që punuan për Euronews Albania patën paralajmëruar rezultatin. Raporti paraprak i OSBE-së është pozitiv dhe e gjithë bashkësia ndërkombëtare përmes përfaqësimeve të ndryshme ka ndjekur dhe konfirmuar rregullsinë e zgjedhjeve.

Fatkeqësisht, opozita nuk është në gjendje të dalë nga ky qëndrim, që e bën që ajo të humbë zgjedhje pas zgjedhjesh. Janë zgjedhjet e pesta radhazi dhe ata ende nuk arrijnë të kuptojnë: Në vend që të reflektojnë mbi veten e tyre, ata përqendrohen në konfrontim dhe akuza kundër nesh dhe përsëri humbin! Sidoqoftë, këto zgjedhje japin një mesazh: kur e majta moderne është e organizuar mirë, është po aq e pamposhtur sa Interi i Mourinho-s!

Për gazetën “La Repubblica”, kryeministri tregoi se do të bëjnë revolucion digjital dhe që nga shtatori 2022 të gjithë fëmijët shqiptarë do të studiojnë me detyrim anglishten, nga klasa e parë. Ndërkaq, Italinë e cilësoi partnere kryesore dhe siç tha “por unë do të doja të shihja më shumë investime në sasi e mbi të gjitha në cilësi!”.