Aktualitet

Kryeministri Rama përgënjeshtron gazetën austriake “Der Standard”

Kryeministri Edi Rama reagoi sot rreth një artikulli të publikuar nga “Der Standard” në lidhje me hartën për kufirin mes Serbisë dhe Kosovës.

Rama e cilësoi të rremë, lajmin e shpërndarë nga “Der Standard”, ndërkohë që theksoi se asnjëherë nuk ka mbështetur rishikim kufijsh mes Serbisë dhe Kosovës.

“derStandardat @webstandardat: Çfarë zhgënjimi të shikosh një gazetë me emër aq të madh të sillet si shpërndarës lajmesh të rreme! Unë nuk jam shprehur kurrë, as për një dokument jozyrtar “non-paper”, as për një hartë dhe kurrë nuk kam mbështetur ndonjë rishikim kufijsh përgjatë vijave etnike mes Serbisë dhe Kosovës. E turpshme!

Në shkrimin ku fliste për ndryshimin e kufijve në Ballkan, gazeta austriake pretendon se kryeministri Rama konfirmoi ekzistencën e një dokumenti të tillë.

Nëse ndiqni argumentet e zyrës së Jançës, dokumenti nuk ekziston fare, por në të njëjtën kohë në zyrën qeveritare në Lubjanë pretendohet se vinte nga opozita e majtë në Slloveni. Kështu që mbetet e paqartë se si një letër që as nuk ekziston mund të vijë nga opozita. Çështja mbetet e paqartë. Të tjerët tashmë kanë konfirmuar ekzistencën e ‘non-paper’. Kryeministri shqiptar Edi Rama i tha medias shqiptare se ai kishte parë dokumentin dhe hartën me ndryshimet e propozuara të kufirit. Vetë Rama, së bashku me Vuçiç, miratuan vizatimin e kufijve përgjatë vijave etnike midis Kosovës dhe Serbisë tre vjet më parë.

Mediat sllovene publikuan një dokument “non-paper”, që u tha se kryeministri slloven, Janez Jansha, i ka dërguar Këshillit Europian. Në këtë dokument flitej lidhur me propozimin e supozuar të Janshës për ricaktimin e kufijve në Ballkanin Perëndimor, si një mënyrë për të zgjidhur problemin kronik ndërmjet gjashtë vendeve në rajon. Sipas përmbajtjes që u publikua në media, bëhet fjalë për ricaktimin e kufirit të Kosovës dhe Serbisë, si dhe parashikohet mundësia e shkëputjes së entitetit të Republikës Serbe nga Bosnje e Hercegovina, bashkimi i pjesëve me shumicë shqiptare të Malit të Zi dhe Maqedonisë së Veriut me Shqipërinë, si dhe bashkimi i një pjese të Bosnje e Hercegovinës, pra, Hercegovinës perëndimore me Kroacinë.