Aktualitet Celebrities

Kryeministri Rama podcast me Luiz Ejllin dhe Benet Becin/Fituesi i BBVIP2: S’merrem me ata që thonë u bëre i majtë!

Në podcastin “Flasim”, Benet Beci dhe Luiz Ejlli ishin dy të ftuarit e radhës së kryeministrit Rama. Kryetari i sapozgjedhur i Bashkisë Shkodër dhe fituesi “Big Brother Vip 2” u bënë protagonistë të episodit të 7-të të këtij podcasti, me titull “Blue Brothers”. Artisti e rivuri theksin te mbështetja e Becit në një moment shumë të vështirë të jetës së tij. Kryeministri e ngacmoi për faktin se vendin e punës e fitoi në kohën e qeverisjes së majtë, ndërsa përtej përcaktimeve i majtë apo i djathtë, Ejlli theksoi se ai nuk është “bukëshkelës”.

Luiz Ejlli: Kur më bënë ftesën për të hyrë, e kam studiuar, kam parë Big Brother-at më të fortë që kanë qenë në Shqipëri, plus dhe në vende të ndryshme të botës ku kanë qenë personazhet më pikante, më të fortë, më interesantë e jam munduar t’i mbledh të gjithë bashkë dhe t’i fus në një, t’i fus te vetja, edhe pse e dija që mund  ta mbaja për njëfarë kohë ashtu sepse nuk ke ku shkon pa dalë vetëvetja.

Por, qëllimi që kisha dhe e dija se çfarë isha duke lënë dhe nuk e dija se çfarë më priste dhe isha futur “all in” ose për të fituar o s’ka. E dija që ishte e vetmja portë ose dritare për mua, për të ardhmen time, duke marrë parasysh që, po e lidh me Benetin, kur isha jashtë si çdo njeri, të gjithë kemi pasur uljet dhe ngritjet tona, unë mbeta me plotë gojën në rrugë të madhe, kam telefonuar njerëz, qoftë biznesmenë, qoftë drejtues mediash, por edhe politikanë me të cilët kisha njohje personale…

Kryeministri Rama: Mua jo…

Luiz Ejlli: Po duke marrë parasysh që gjithmonë jam konsideruar i djathtë, nuk i kisha fare shpresat se mendoja se do të thonë: “ky është i djathtë”, por këto do e sqaroj më mbrapa sepse siç e thatë dhe ju, është hera e parë që flasim dhe përballë, por as në telefon e asgjë.

Kryeministri Rama:  Kemi folur me diçka tjetër, por do ta sqarojmë më mbrapa.

Luiz Ejlli: Ajo nuk është e folur. Ajo ka qenë periudha kur ju i kishit vendosur qëllim vetes t’i kthenit përgjigje të gjithë shqiptarëve dhe është pak e vështirë. Telefonova zotërinë që kam përballë dhe më tha: hajde! Kam shkuar tek KESH-i, në atë kohë Beneti ishte administrator i KESH-it. E takova, më tha me thuaj çfarë problemi ke dhe i thashë që jam pa punë, në rrugë të madhe, kjo është CV-ja ime, këto janë aftësitë e mia. Nëse është e mundur për një vend pune dhe më tha që do të shoh kur të bëhet audicioni i parë, ku të jetë, të ftoj të vish dhe uroj ta fitosh! Për hir të vërtetës, e fitova dhe u futa dhe jam shumë mirënjohës.

Kryeministri Rama: Domethënë, në kohën e qeverisë së majtë?

Luiz Ejlli: Pse do ta lidhësh gjithmonë?

Kryeministri Rama: The që nuk mora se isha i djathtë, por në punë qenke futur në kohën e qeverisë së djathtë.

Luiz Ejlli: Unë isha në punë edhe në kohën e të djathtës, por mbeta pa punë dhe më futi zotëria në fjalë dhe i jam shumë mirënjohës. Për ata që thonë “Luiz, u bëre i majtë, i djathtë, i mesëm”, me këto nuk merrem, nuk merrem me këtë pjesë. Unë nuk jam bukëshkelës, unë vlerësoj individin, vlerësoj njeriun dhe në këtë rast është Beneti.

Kryeministri Rama: Nuk ka nevojë të na shpjegohesh se nuk je në Hetuesi. Doja thjesht të dija episodin si ndodhi, meqë në gjithë këtë informacionin që kam marrë nga shërbimet, këtu del që ke thënë që Beneti ishte njeriu që t’u gjend në moment të vështirë.

Luiz Ejlli: Absolutisht që po!