Aktualitet

Kryeministri Rama: Rritja e pagave të deputetëve të hyjë në fuqi kur të rritet për të gjithë!

Në seancë plenare, kryeministri Rama tha se nuk do të votojë rritjen e pagës së deputetëve. Rama përsëriti se rritja për deputetët duhet të jetë e fundit, kur të hyjë në fuqi për të gjithë, në të kundërt, nuk është e moralshme.

Unë nuk e votoj rritjen e pagës për deputetët. Ju bëni ç’të doni, unë vetë nuk e votoj. Për mua, paga duhet të vendoset sot dhe të hyjë në fuqi ditën kur bëhet rritja e pagës deri te më i fundit.

Pra, nëse mësuesve dhe mjekëve iu themi sot do të merrni këtë rritje e tjetrën më vonë dhe paga juaj do të jetë e plotë e 900 euro do të jetë në mes të viti të ardhshëm, atëherë për deputetët e ministrat duhet të hyjë në fuqi pasi t’u rritet gjithë të tjerëve. Ky është qëndrimi im, para kësaj unë mendoj se është e pamoralshme.

Gazment Bardhi u shpreh se grupi parlamentar i PD-së do të votojë pro rritjes së pagave. Numri një i grupit tha se ky është vendim i vonuar dhe i pastudiuar.

Nuk ka gjë të pamoralshme as të rrisësh rrogat e administratës, rrogat e deputetëve dhe të ministrave. E pamoralshme është të vjedhësh me tendera, të jesh i korruptuar, të drekosh e darkosh me kriminelë siç bën ti nga mëngjesi deri në darkë.

Nuk ka asnjë dyshim që vota e grupit parlamentar për këtë projektligj do të jetë pro sepse jetesa për punonjësit e administratës publike është vështirësuar. Për fat të keq, ky vendim është i vonuar dhe i pastudiuar. Janë larguar burra e gra të të gjithë shtresave dhe të gjitha moshave.

42 mijë shqiptarë u larguan pas zgjedhjeve të 2021-shit. Pse është vonë? Sepse në 10 vjet kjo qeveri refuzoi të bënte një rritje reale pagash. Ju si maxhorancë keni refuzuar çdo propozim të PD-së për rritje pagash. Para’ kishit, por jo për të rritur mirëqenien e shqiptarëve. Sot akoma nuk e dimë se cili është burimi i këtyre të ardhurave.

Zbuluam se kemi një qeveri që i përdor taksapaguesit shqiptarë për fushatë elektorale. Rritja e pagave nuk mbahet kurrë sekret. Sot, Rama të thotë se ku do të gjenden paratë për rritjen e pagave? Ne vazhdojmë të blejmë me çmime shumë të larta. Mashtrim gjigant i Ramës që një rritje e tillë ndodh për herë të parë në Shqipëri.

Kryeministri Rama tha se është për të ardhur keq si sjellja e opozitës ka bërë popullin të mos durojë pallavrat.

Nëse doni të dini pse Kamza ju ktheu kurrizin, shkoni atje e shikoni çerdhet, shkollat, familjet që u prishën shtëpitë ku familjet u ulën me kryebashkiakun, firmosën e liruan trasenë. Ata e dinë se ai njeriu që kanë atje fle i fundit dhe zgjohet i pari dhe e dinë se ato që firmosën janë të vërteta për të marrë shtëpinë e re. Atë që bëri Kamza ishte e duhura.

Hajdeni me mua në Tropojë e t’ju them se pse ju ktheu kurrizin dhe kështu të gjitha me radhë. Rezultati jonë është sa vepra jonë aq dhe e juaja, se jeni bërë aq të padëgjueshëm, aq të pangrënshëm, erdhën na votuan ne dhe një pjesë nuk votuan. Nuk e di si i numëroni 500 mijë e 600 mijë votues. Por, mbajeni mend që do të jenë shumë më pak në zgjedhje tjera.

Gjithashtu, kryeministri ironizoi fjalën e deputetit demokrat, Dashnor Sula që deklaroi se do të çonte shtesën për jetimët.

Ndërsa  Kuvendi po merr në shqyrtim projektligjin për rritjen e pagave, jashtë selisë, aktivistë të “Lëvizjes Bashkë” po protestojnë kundër rritjes për deputetët dhe ministrat. Me pankarta me mbishkrimin: “Mos u ngopshi” dhe me thirrjet “Hajdutë”, hodhën tufa parash ndaj ish-zv.kryeministrit Arben Ahmetaj, i cili po jepte prononcim për mediat.