Aktualitet

Kryeministri Rama: “Së shpejti do ndërtohen këto tre porte”

Tre porte të reja turistike do t’i shtohen vendit, në Sarandë, Vlorë e Durrës. Kjo u bë e ditur sot nga kryeministri Rama në një konferencë shtypi në krah të Ministres së Infrastrukturës, Belinda Balluku. Rama tha se “kjo do ta bëjë vendin të hyjë në hartën e Turizmit të detit”, si dhe shprehu besimin se Aeroporti i Kukësit do të jetë funksional në pranverë.

“Do të fillojmë në javët në vijim procesin për spostimin, duke hedhur në garë ndërkombëtare Portin e ri të Durrësit, i cili do të zhvillohet në anën tjetër, aty ku është edhe plani i zonës së lirë ekonomike. Po kështu do të bëjmë edhe me Vlorën. Projekti me Lungomaren përfshin dhe një port turistik, që do të jetë aty për të krijuar një kanal të ri kontakti me Vlorën. Ndërkohë edhe për Vlorën jemi gati për një proces, ku do mund të sistemojmë me standarde bashkëkohore portin e shërbimeve në anën tjetër. Në pak javë do mund të fillojmë të japim gjithë autorizimet për fillimin e portit të tretë turistik, që do të jetë i pari që do të fillojë, në Sarandë. Për këtë kemi marrë një propozim fantastik dhe që ndryshon gjithë paradigmën e Sarandës. Kështu, Shqipëria do të hyjë në hartën e turizmit të detit, që ka munguar me dekada, në aspektin e ekonomisë së detit. Ne besojmë se aeroporti i Kukësit do të jetë operacional në pranverë. Nuk e kam harruar premtimin për 120 vota për demokratët. Nëse më ndjekin i ftoj të fillojnë rezervimin për fluturim falas, që të vijnë të votojnë për PD”, -u shpreh kryeministri.