Aktualitet

Kryeministri Rama takim me fermerët protestues të Lushnjes!

Kryeministri Edi Rama zhvilloi sot një takim me fermerët e Lushnjes, të cilët protestuan përpara Kuvendit, kundër Paketës së re Fiskale, që pritet të miratohet po sot në seancë plenare. Kreu i Sindikatës së Fermerëve, Eduard Sharka:

Fermerët ndodhen në vështirësi të mëdha dhe 30% prej tyre nuk kanë porositur farat për të mbjellë, për arsye se kanë dështuar për tre vite.

Fermerët i thanë kryeministrit se prej 3 vitesh i kanë kërkuar qeverisë ndryshimin e formës së subvencionimit dhe heqjen e 6%.

Në Buxhetin e Shtetit ky 6% është vlerësuar 9 milion dollarë, por nuk është kaq, por pesëfish më shumë.

Shefi i qeverisë deklaroi:

Ramë dakord që ndryshimi i qasjes së financimit nga qeveria është i duhuri. Por, kemi dallime për mënyrën e re të adresimit e për këtë do të takohemi së shpejti, me mendje të hapur, për të dëgjuar njëri-tjetrin. Përgjithësisht, duhet ta dëgjojmë më shumë njëri-tjetrin dhe ky i sotmi është shembull pozitiv për të gjithë ata që duan t’i zgjidhin problemet e jo të bëjnë politikë të ulët me to.

Debati në Kuvend me një grup fermerësh nga protesta dhe drejtuesin e tyre, kandidat për deputet i PD-së, ishte shumë më konstruktiv e i dobishëm se debatet në sallën e Parlamentit, që sundohen nga akuzat, shpifjet e sharjet me natyrë personale.

Të dy palët paskemi të njëjtin hall, ai 6% nuk shkon te fermerët. Tani, çfarë ka ndodhur? Ne e kemi bërë deri tani dhe do e ndryshojmë, sepse e para, bujqit s’kishin pika grumbullimi. Ata që hedhin gurin dhe fshehin dorën, kanë marrë mbështetje nga kjo qeveri në vite për ato investime që kanë bërë atje, që të bëjnë pikat e grumbullimit me një financim të përbashkët dhe ndërkohë, rolin e agjentit të qeverisë për të çuar diferencën te ju, nuk e kanë luajtur.

Këtu është çështje organizimi dhe çuarje e parasë në drejtimin e duhur dhe jo në drejtimin që paraja ka devijuar. 9 milion dollarë, të cilat ne nuk do t’i japim në atë formë sepse na devijonin nga grumbullimi dhe nuk i shkonin fermerit. Për çfarë po protestohet këtu, për këtë 9 milion dollarëshin? Ato para’ nuk do jepen në atë formë, por nuk do të ikin nga bujqësia, do të shkojnë drejtpërdrejt tek fermeri. Nuk shkojnë dot tek e tek, do të shkojnë te modelet që ndihmojnë fermerët mos dalin nën kosto dhe të bëjnë nga këto aventurat personale!

Ndërkaq, në Kuvend, deputeti socialist Erion Braçe lexoi relacionin e projektligjit për TVSH-në në vitin 2014, kur qeveria propozoi barazimin e TVSH-së për fermerët në shitje dhe blerje 20/20%, kur ekzekutivi thonte se do të ndihmonte sektorin.

Më e rëndësishmja është skema e TVSH-së për bujqit, fermerët. Qeveria e bën zero kompensimin e fermerit. Problemi është te bujku dhe grumbulluesi, eksportuesi me zero në TVSH është i përjashtuar nga këto probleme. Me 20% TVSH në shitje, humbja për grumbulluesin është e madhe.

TVSH e inputeve bujqësore, nëse do kishim një treg që funksionon normalisht, çmimet i cakton tregu jo taksa. Por ne në tregun e inputeve bujqësore nuk kemi rregulla, kemi kartelë të 10 kompanive që përcaktojnë çmimet dhe nëse ne vendosim TVSH 10%, do transmetohet te kosto me të cilën bujku do të blejë çdo gjë. Na duhet të çlirojmë tregun nga karteli i këtyre 10 kompanive dhe të shikojmë normën e taksave që mos e rrisim barrën tani pasi barra e taksës mbi bujkun do rrisë kostot e bujkut dhe do ulë fitimin e tij.