Aktualitet

Kryeministri Rama veçon zhvillimin në bujqësi përmes dijes e informacionit!

Sot në një takim me fokus teknologjinë në fushën e bujqësisë, kryeministri Rama u shpreh se “bujqësia është gjithmonë e më shumë një fushë ku dija më e përparuar luan edhe rolin më të rëndësishëm për zhvillimin”. Rama vlerësoi rëndësinë e konferencës për “Teknologjinë dhe Inovacionin në Bujqësi dhe Blegtori”, një takim ekspertësh shqiptarë e të huaj, me fermerët, agropërpunuesit. Kjo për të përcjellë eksperiencat më të mira në fushën e bujqësisë sonë, si dhe të gjithë informacionin e nevojshëm për mundësitë e financimeve, bashkëpunimeve e sinergjive të ndryshme.

Eshtë nder i madh dhe privilegj që ne të kemi në këtë rrugëtim disa njerëz të cilët janë pikërisht zotërues të një dijeje të posaçme. Falënderoj rektorin e Universitetit të Vjenës, që na ka hapur dyert me shumë përkushtim nga ana e tij dhe pedagogëve atje, për të realizuar një kanal të rëndësishëm komunikimi dhe transferimi të dijes, mes një prej universiteteve më të vjetër dhe prestigjioz në botës dhe Universitetit Bujqësor të Tiranës.

Po ashtu, veçoi ndihmën e qeverisë gjermane e mbështetjen dhe gatishmërinë e asaj të Izraelit.

Izraeli është mbase shembulli më domethënës për gjithë botën, për të kuptuar se niveli i zhvillimit dhe niveli i mirëqenies dhe suksesit për të realizuar një zhvillim që prodhon mirëqenie, nuk varet nga çfarë ke, por sa di. Shembujt janë të panumërt, por dua të sjell shembullin shumë domethënës të Izraelit që nuk ka ujë nga Zoti dhe natyra, por është vendi me sistemin më ekselent të furnizimit me ujë dhe ujitjes në bujqësi. Në mungesë të bollëkut të ujit siç e kemi ne, Izraeli ka investuar tek mendja, dija, informacioni dhe ka arritur të transformojë një mungesë të madhe në një burim zhvillimi të jashtëzakonshëm, duke e kthyer ujin e detit në ujë të ëmbël, si për të pirë edhe për të ujitur. Izraeli riciklon për ujitje të gjitha ujërat e zeza. Asgjë në gjithë ciklin nuk shkon dëm, asnjë gram.

Por kryeministri theksoi se edhe në bujqësinë shqiptare ka jo pak shembuj zhvillimi dhe suksesi përmes vënies së vëmendjes së veçantë te dija. Rama solli shembullin e njërit prej sipërmarrësve në bujqësi, i përkushtuar në rrugën e dijes, së informacionit, inovacionit, marrjes së eksperiencave më të mira dhe bërjes së eksperimenteve, prej të cilave ka mësuar e nxjerrë konkluzione dhe sot, serrat e tij janë shembuj spektakolarë të ekselencës europiane.