Bota

Kryeministri taleban Akhund mban të parin fjalim për popullin afgan!

Kryeministri taleban i Afganistanit mbajti të parin fjalim publik që nga koha kur grupi islamik rimori pushtetin, mbi tre muaj më parë. Në një mesazh audio të regjistruar, Mullah Mohammad Hassan Akhund, bashkëthemelues i talebanëve, theksoi se “qeveria dëshiron marrëdhënie të mira me shtetet e tjera” dhe se “do të zgjidhin problemet ekonomike”.

Ne i sigurojmë të gjitha shtetet, se nuk do të ndërhyjmë në punët e tyre të brendshme dhe ne duam të kemi raporte të mira ekonomike me ta.

Talebanët erdhën në pushtet pasi morën kontrollin e Kabulit, në mesin e muajit gusht, ndërsa forcat e huaja, të udhëhequra nga Shtetet e Bashkuara, u larguan nga Afganistani, pas 20 vitesh.

Akhund u shpreh se talebanët kanë përmbushur zotimet për të luftuar me forcat e huaja, derisa të krijohet një qeveri islamike. Por, pavarësisht rikthimit në pushtet, ata kanë pasur vështirësi që të shndërrohen në administratë funksionale.

Afganistani po përballet me krizë të madhe financiare dhe me rritje të inflacionit, të papunësisë, rënie të vlerës së monedhës kombëtare. Kriza ekonomike është përkeqësuar pasi Shtetet e Bashkuara kanë ngrirë rreth 10 miliard dollarë të rezervave të Bankës Qendrore Afgane. Po ashtu, Banka Botërore dhe Fondi Monetar Ndërkombëtar kanë ndaluar aksesin e Afganistanit në fonde.

Agjencitë e Kombeve të Bashkuara paralajmërojnë për krizë të madhe humanitare dhe mbi gjysma e popullsisë prej 38 milion banorësh, pritet që gjatë dimrit të përballet me uri.

U bëjmë thirrje organizatave humanitare ndërkombëtare, të mos ndalojnë ndihmën e tyre e të ndihmojnë popullin tonë!

Kryeministri afgan vlerëson se kriza ekonomike e Afganistanit do të zgjidhej nëse Amerika mundëson të merren fondet e Bankës Qendrore.

Afganët nuk duhet të besojnë se talebanët janë fajtorë për problemet ekonomike, pasi janë pasojë e qeverisë së kaluar që ishte e korruptuar.

Asnjë shtet nuk e ka njohur qeverinë e talebanëve. Perëndimi po shikon mundësitë si të komunikojë me të, për të adresuar emergjencën humanitare.