Bota

Kryeministrja e Zelandës së Re shtyn dasmën, shkak…

Kryeministrja e Zelandës së Re, Jacinda Ardern u detyrua të shtyjë dasmën për shkak të rikthimit të kufizimeve që synojnë parandalimin e përhapjes së koronavirusit. Ardern e dha njoftimin pasi përshkroi në detaje masat e reja, përfshirë lejimin deri në një maksimum prej 100 personash plotësisht të vaksinuar, në çdo takim apo event.

Dasma ime nuk do të zhvillohet!

Kufizimet që hyjnë në fuqi këtë të diel, pra sot, pasojnë raportimin e 9 infektimeve me variantin Omicron, mes anëtarëve të së njëjtës familje që kishin udhëtuar nga qytete të ndryshme për të marrë pjesë në një ceremoni martesore. Mes të prekurve është edhe një anëtar ekuipazhi i një kompanie ajrore. Kaq mjaftoi që qeveria në Zelandën e Re të rikthejë kufizimet.

Ndërkaq, kryeministrja Ardern e partneri i saj, Clarke Gayford deri tani nuk e kishin njoftuar datën e dasmës, por mësohet se pritej të zhvillohej brenda pak javësh. Kufizimet e reja që përfshijnë edhe përdorimin e maskave në mjediset e jashtme do të qëndrojnë në fuqi, të paktën deri në fund të muajit shkurt.

E pyetur nga gazetarët mbi ndikimin e masave anti-COVID në dasmën e saj të planifikuar, kryeministrja u shpreh:

C’est la vie! Nuk jam ndryshe nga qytetarët e tjerë që kanë përjetuar situata shumë më të rënda për shkak të pandemisë, përfshirë pamundësinë për të mos qëndruar pranë njerëzve të dashur kur ishin të sëmurë rëndë.

Por, duhet thënë se Zelanda e Re rezulton mes vendeve më pak të goditur nga COVID-19 e zyrtarisht ka regjistruar 15.104 infektime e 52 vdekje që nga fillimi i pandemisë.