Bota

Kryeministrja finlandeze Marin flet për vendimin mbi hyrjen ose jo në NATO të Finlandës!

Kryeministrja e Finlandës, Sanna Marin vë në dukje se nëse vendi i saj ndërmerr hapin historik që të aplikojë për anëtarësim në NATO, kjo do të bëhej për sigurinë e qytetarëve finlandezë dhe po ashtu do të forconte komunitetin ndërkombëtar.

Shefja e qeverisë së Helsinkit i bëri këto deklarata gjatë ditës së sotme, pas një takimi me kryeministrin japonez, Fumio Kishida në Tokio, vetëm një ditë para se presidenti finlandez, Sauli Niinisto, të publikojë vendimin e shumëpritur nëse shteti finlandez që kufizohet me Rusinë do të aplikojë apo jo për anëtarësim në Aleancën Veri-Atlantike.

Pushtimi rus i Ukrainës ka shtyrë Finlandën dhe Suedinë që të mendojnë seriozisht mbi aplikimin për anëtarësim në NATO, duke braktisur besimin e mbajtur me dekada tashmë se “paqja ruhet duke mos mbajtur publikisht asnjë anë”. Por, pavarësisht këtij qëndrimi, prej vitesh, që të dy shtetet nuk e kanë humbur mundësinë për të marrin pjesë në stërvitjet e Aleancës ushtarake.

I tregova kryeministrit Kishida për planet tona lidhur me mundësinë e aplikimit në NATO. Nëse Finlanda ndërmerr këtë hap historik do të jetë për sigurinë e qytetarëve të saj. Anëtarësimi në NATO do të forconte të gjithë komunitetin ndërkombëtar, me të cilin ne ndajmë vlera të përbashkëta.

Kryeministrja e Finlandës Marin theksoi se “veprimet e Rusisë në Ukrainë shkelin haptazi ligjin ndërkombëtar dhe Kartën e Kombeve të Bashkuara”.

Mizoritë kundër civilëve po vazhdojnë!

Rusia mohon se forcat e saj kryejnë krime kundër civilëve në Ukrainë, që nga koha kur Moska nisi pushtimin e shtetit fqinj më 24 shkurt, në emër të atij që e quan “operacion special për çmilitarizimin e vendit”.

Debati në Finlandë për anëtarësim në aleancën ushtarake të NATO-s ka filluar që nga koha kur Rusia nisi pushtimin e Ukrainës, më 24 shkurt. Një diskutim i ngjashëm po zhvillohet edhe në Suedi. Finlanda ndan një kufi prej 1 mijë e 300 kilometrash me Rusinë, por Suedia nuk ka kufi të përbashkët me shtetin rus. Moska ka paralajmëruar pasoja për NATO-n nëse lejon anëtarësimin e Finlandës e të Suedisë.

Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, ka thënë se “zgjerimi i NATO-s nuk do të sillte më shumë stabilitet në Europë”, ndërsa Dmitry Medvedev, anëtar i Këshillit të Sigurisë në Rusi, u shpreh se “nëse Finlanda dhe Suedia i bashkohen NATO-s, Moska do të detyrohet të forcojë mbrojtjen e saj në Baltik me armë bërthamore”.