Aktualitet

Kryente manovra të rrezikshme në rrugët e Tiranës, i pezullohet patenta për një vit!

Pasi në rrjetet sociale u publikua videoja e një personi që në timonin e automjetit që drejtonte bënte manovra të rrezikshme në rrugë duke tentuar të kalonte trafikndarësen, Policia Rrugore e Tiranës e ndaloi. Ndërkohë, iu pezullua për një vit leja e drejtimit.

Njoftimi zyrtar:

Falë punës intensive të mirëorganizuar, në bashkëpunim me shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 5, u bë i mundur identifikimi dhe ndalimi i mjetit së bashku me drejtuesin e mjetit, shtetasin N. S. Për kundërvajtjen e kryer, u vendos masa administrative me vlerë 15.000 lekë të reja, pezullimi i lejes së drejtimit për 1 vit si dhe ndalimi administrativ i mjetit.

Drejtoria Vendore e Policisë Tiranë shprehu falënderime për mediat dhe qytetarët, që i drejtohen për të denoncuar rastet e paligjshmërisë.

Mosrespektimi i sinjalistikës rrugore e semaforit, si dhe përdorimi i celularit në timon janë shkeljet më të shpeshta që shoferët kryejnë në kryeqytet. Referuar të dhënave të Policisë Rrugore në Tiranë, rezulton se që nga fillimi i vitit e deri më tani janë vendosur mbi 88 mijë gjoba për shkelje të ndryshme të Kodit Rrugor.

Numrin më të lartë e mbajnë masat administrative për mosrespektim të sinjalistikës e semaforit, shkelje për të cilën në muajt janar-prill 2022, në Tiranë u vendosën 17 mijë 398 gjoba. 13 mijë e 151 të tjera iu vunë shoferëve që përdorin celularin në timon. Ndërkohë, 7 mijë e 714 drejtues mjetesh janë gjobitur për mosvendosjen e rripit të sigurimit dhe 2 mijë e 246 gjoba shkuan për drejtuesit që lëvizin me makina me xhama të zinj.

Me të tjera masa administrative u ndëshkuan drejtues të automjeteve të kapur duke udhëtuar në gjendje të dehur apo ata shoferë që në rrugë kryejnë parakalime të gabuara e lëvizin në shkelje të normave të lejuara.

17398 gjoba për mosrespektim të sinjalistikës dhe semafori
13151 gjoba për përdorim të celularit në timon
7714 gjoba për mosvendosjen e rripit të sigurimit
2246 gjoba për automjetet me xhama të zinj