Aktualitet

Kryeplaku i Rinasit: “Devijimi i rrugës ka lënë fëmijët pa shkollë, të sëmurët pa shërbim shëndetësor. Protestat do të vijojnë deri në zgjidhje!”

Vendimi i Autoritetit Rrugor Shqiptar (ARRSH) për devijimin e rrugës së Rinasit për të gjithë banorët që udhëtojnë nga Veriu i vendit për në Rinas ka provokuar protesta. Banorët e Rinasit që prej ditës së djeshme kanë bllokuar rrugën sepse sipas tyre janë qindra familje që mbeten të bllokuara nga bërja me një sens lëvizjeje e rrugës për në aeroport.

Kryeplaku i fshatit, Saba Muja në një lidhje direkte me “Wake Up”, tha se protesta e banorëve të Rinasit do të vijojë deri në gjetjen e një zgjidhjeje. Kryeplaku Saba Muja tha i revoltuar se:

Sot që flasim fëmijët nuk kanë shkuar në shkollë. Të sëmurët kanë mbetur pa iu dhënë shërbimi shëndetësor dhe bujqit pa shkuar të punojnë tokën e tyre. Praktikisht ne banorët e Rinasit na kanë mbyllur brenda pa asnjë mundësi kalimi dhe jete.

Ai i kërkon autoriteteve të ndërhyjnë për të gjetur një zgjidhje në të kundërt protesta e banorëve do të vijojë gjatë me bllokimin e rrugës. Tri ditë më parë zonja Ariana Hasani, Drejtoreshë e Mirëmbajtjes në ARRSH njoftoi vendimin për të kufizuar lëvizjen e automjeteve drejt Rinasit vetëm në një sens kalimi. Hasani tha:

Ky është një vendim që nuk do të ndryshohet të paktën deri në rënien e fluksit të turistëve. Shumë qytetarë kanë humbur fluturimet për shkak të trafikut të rënduar.

Kontaktuar dje nga “Wake Up” nëse ky vendim do të ndryshojë pas protestave të djeshme, zonja Hasani tha se nuk ka një rishikim të vendimit të parë por nuk përjashtohet një zgjidhje alternative.