Aktualitet

Kryeprokurori Çela, thirrje prokurorive të hetojnë me shpejtësi krimet zgjedhore!

Prokurori i Përgjithshëm, Olsian Çela deklaroi sot se lidhur me krimet zgjedhore, prokurorive iu janë kërkuar përgjigje të shpejta. Nga Durrësi, Çela theksoi rëndësinë që hetimet të shoqërohen me proces transparent, që publiku të jetë i qartë e të ketë informacion të plotë në atë që ka bërë Prokuroria.

Çështjet e zgjedhjeve prekin shumë prokurori të rretheve gjyqësore e kanë impakt në të gjithë vendin, ndaj rezultati i çdo hetimi është i rëndësishëm. Rëndësi ka që hetimet të jenë të plota, të kryhen në kohën e duhur e rezultatet t’i përcillen publikut!

Më herët, Komisioni i Ankimimeve dhe Sanksioneve në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve nisi sot shqyrtimin e ankesave për rezultatin e 25 prillit. Ankimet shqyrtohen në bazë të qarqeve dhe nisi me Gjirokastrën ku ka tre ankimime nga PD-ja, LSI-ja dhe kandidati i pavarur i Vetëvendosjes, Kreshnik Merxhani.

Që të tre kanë kërkuar pavlefshmëri të rezultatit në këtë zonë zgjedhore, ku PS ka marrë 3 mandate dhe demokratët, një. Palët parashtruan arsyet pse kërkojnë përsëritjen e zgjedhjeve në qarkun e Gjirokastrës.

Ndërkaq, LSI kërkon shpalljen e pavlefshme të zgjedhjeve në Dropull e të gjithë qarkun Gjirokastër dhe pretendon se 500 persona, mbështetës të PS-së erdhën nga Greqia në Shqipëri para zgjedhjeve të 25 prillit dhe disa prej tyre morën detyra në qendrat e votimit.