Aktualitet

Kryetarja e KLGJ-së, Llagami: Interes i ulët aplikimi në GJKKO!

Në Komisionin e Ligjeve, sot ishte kryetarja e KLGJ-së, Naureda Llagami, për Raportin Vjetor të Veprimtarisë së Këshillit të Lartë Gjyqësor gjatë 2021-shit. Në prezantimin e dokumentit, theksoi se institucioni që drejton është përqendruar në pikat nevralgjike të sistemit, që kishin nevojë për vëmendje të shtuar”. Po ashtu, theksoi se me dy emërimet sot të Presidentit, Gjykata e Lartë bëhet me 15 anëtarë.

Këto prioritete të punës sonë, adresojnë si rekomandimet e Kuvendit ashtu dhe atë të projekt-progresit të Bashkimit Europian. Përtej vështirësive, KLGJ plotësoi Gjykatën e Lartë me 6 anëtarë të tjerë duke e çuar numrin në 9 gjyqtarë. Plotësimi i Gjykatës së Lartë bëri të mundur funksionalizimin saj. Ndërkaq, gjatë viti 2022 janë dekretuar nga Presidenti edhe 4 anëtarë të tjerë duke e çuar në 13 anëtarë.

Po ashtu, Këshilli i Lartë i ka përcjellë Presidentit edhe dy kandidatë të tjerë, që Presidenti tashmë i ka dekretuar duke bërë të mundur që kjo gjykatë të ketë 15 anëtarë, gjë që do të na lejojë që kjo gjykatë të veprojë me kolegje të bashkuara, për të ndryshuar edhe praktikën gjyqësore.

Nga ana tjetër, KLGJ ka hapur dhe 4 pozicione të tjera për Gjykatën e Lartë, të cilat janë në proces e duhet të mbahet parasysh se plotësimet e vendeve vakante janë të ndërvarura nga procesi i rivlerësimit kalimtar dhe është e pritshme që deri në fund të vitit, të realizojmë plotësimin e plotë të vendeve vakante.

Llagami shtoi se një tjetër prioritet është plotësimi i vendeve vakante në Gjykatën e Posaçme, konkretisht të Shkallës së Parë dhe Apelit.

Ajo që vihet re në të dy nivelet e Gjykatës së Posaçme është interesi i ulët që kanë treguar gjyqtarët, për të aplikuar në pozicionet e lira në këto gjykata. Në Gjykatën e Posaçme të Apelit kundër Korrupsiot dhe Krimit të Organizuar u hapën 5 pozicione të lira, për të cilat kandiduan vetëm 4 kandidatë. Përsa i përket emërimeve, janë emëruar 4 kandidatë, nga të cilat 3 kishin aplikuar për vendet e lira të hapura në vitin 2020 dhe 1 kandidat që është i emëruar për një vend të lirë të hapur më 2021, ndërkohë vijojnë procedurat për plotësimin e katër pozicioneve.

Aktualisht, në këtë gjykatë janë emëruar 8 nga 11 që ka organika. Sa i përket organikës në Gjykatën e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar të Shkallës së Parë, gjatë viti 2021 u hapën 8 pozicione të lira. Për 5, aplikuan 5 kandidatë dhe 4 prej tyre vazhdojnë procedurën e ngritjes në detyrë, ndërsa një u tërhoq nga kandidimi. Aktualisht, në këtë gjykatë kemi 7 gjyqtarë, 5 të emëruar dhe 2 në skemë delegimi nga 16 gjyqtarë që ka në organikë.