Bota

KS i OKB-së diskuton për Ukrainën në Nju Jork!

Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara, sot do t’i bëjë presion Rusisë në një seancë ku duhet t’u përgjigjet shqetësimeve për grumbullimin e trupave dhe mundësisë së pushtimit të Ukrainës. Në forumin më të lartë të OKB-së, çështjen e ngritën Shtetet e Bashkuara që po përpiqen të rrisin trysninë ndaj Moskës. Por, nuk ka gjasa që Këshilli të miratojë qëndrim zyrtar, pasi Rusia ka të drejtë vetoje e lidhje me vende të fuqishme, përfshirë Kinën.

Uashingtoni e ka vendosur këtë çështje në rendin e ditës që prej javës së kaluar, pas bisedimeve jozyrtare me anëtarët e tjerë të Këshillit të Sigurimit dhe Ukrainën. Ambasadorja e SHBA-vë në Kombet e Bashkuara, Linda Thomas-Greenfield.

Presim me padurim diskutimin mbi këtë çështje për të cilën jemi të fokusuar!

Shtetet e Bashkuara dhe aleatët kanë gati një listë personalitetesh ruse pranë presidentit rus Vladimir Putin, që do të goditen me sanksione ekonomike nëse Rusia do të pushtojë Ukrainën. Këtë e deklaroi një anëtar i administratës së presidentit amerikan, Joe Biden. Sipas gazetës britanike “The Guardian”, “Personalitetet e përfshira në listë, luajnë rol në vendimmarrjen e qeverisë ose janë të paktën bashkëpunëtorë në sjelljen e Kremlinit”.

Ata përfaqësojnë objektiva të ndjeshëm për lidhjet e tyre të thella financiare me Perëndimin.

Në një intervistë të transmetuar nga BBC, Jens Stoltenberg bëri të qartë se “nëse Rusia pushton Ukrainën, NATO nuk do të dërgojë trupa në këtë shtet”. Sipas Sekretarit të Përgjithshëm të Aleancës Veri-Atlantike, “ka dallim mes një shteti anëtar dhe një vendi të vlefshëm partner, siç është Ukraina”. Rusia ka pozicionuar mbi 100 mijë trupa pranë kufirit me Ukrainën, çka rrit shqetësimet për pushtim.

Ndërkaq, nëndetëse ruse nga Flota e Veriut kryen manovra ushtarake në Detin e Norvegjisë, në veriperëndim të vendit skandinav. Raportohet se shoqëroheshin nga një raketahedhës, fregata “Admiral Kasatonov” e gjithashtu nga një helikopter lufte, i pajisur me armatim antinëndetëse. Ditët e fundit, Moska ka filluar manovrat ushtarake detare për të gjitha flotat në nivel global, që përkon me rritjen e tensioneve me Perëndimin, mbi krizën ukrainase.