Sport

Kualifikueset e Euro 2024, kombëtarja e nis me sfidën ndaj Polonisë në 27 mars

Pasi mësoi emrat e kundërshtarëve të saj në kualifikueset e Euro 2024 në shortin e hedhur në Frankfurt të Gjermanisë, Kombëtarja shqiptare, njihet edhe me kalendarin e ndeshjeve të këtyre eliminatoreve. Kuqezinjtë janë në Grupin E me Poloninë, Çekinë, ishujt Faroe dhe Moldavinë.

Do të jetë pikërisht Polonia e Robert Lewandowskit rivalja me të cilën skuadra jonë kombëtare do të nisë fushatën e kualifikueseve të evropianit të Gjermanisë në datën 27 mars 2023 një ndeshje kjo që do të luhet në transfertë, për t’u rikthyer në fushën e lojës pas 3 muajsh, pikërisht në 17 qershor kur do të presë Moldavinë, ndërsa 3 ditë më vonë në qershor do të luajë ndaj Ishujve Faroe në fushën e këtyre të fundit.

Kombëtarja shqiptare do të luajë më pas ndeshjet e radhës në muajin shtator dhe do të jenë sfida shumë të rëndësishme për të. Më konkretisht në 7 shtator skuadra jonë përfaqësuese do të udhëtojë drejt Çekisë për të luajtur me përfaqësuesen e këtij vendi, ndërsa në 10 shtator do të presë Poloninë në shtëpi.

Në 12 tetor kuqezinjtë do të luajnë ndeshjen e kthimit me Çekinë në shtëpi, për të mbyllur fushatën e kualifikueseve në muajin nëntor me sfidën me Moldavinë në transfertë në 17 nëntor dhe Ishujt Faroe në Tiranë në 20 nëntor.

Vlen të theksohet se Kombëtarja shqiptare mund të shfrytëzojë datat e UEFA edhe për ndeshje miqësore duke qenë se është në një grup me 5 skuadra dhe se do të zhvillojë 8 ndeshje të kualifikueseve.