Aktualitet

Kuçovë, nis puna për modernizimin e bazës ajrore të NATO-s!

Fillon puna për realizimin e projektit për modernizimin e bazës ajrore të Kuçovës. Në ceremoninë e nisjes së punimeve ishte i pranishëm Kryeministri Edi Rama, ministri i Mbrojtjes, Niko Peleshi së bashku me ambasadoren e SHBA-ve, Yuri Kim dhe ambasadorë të vendeve të tjera të akredituar në Tiranë.

Shefi i qeverisë theksoi:

Vendimi që NATO mori për ta përzgjedhur këtë hapësirë si një mjedis të ri për adresimin e sfidave të sigurisë, duke e transformuar në një bazë ajrore taktike të Aleancës në rajon, konfirmon faktin se Shqipëria e vogël është sidoqoftë një vlerë e shtuar në këtë Aleancë, e cila bashkon shtete që besojnë në disa vlera dhe parime, për të cilat ia vlen të luftohet.

Për ne, lajmi i kësaj vendimmarrjeje të NATO-s ishte shumë i mirëseardhur, sepse si të thuash, jo vetëm krijonte vlerë të re në gjithë infrastrukturën tonë të mbrojtjes, por në të njëjtën kohë përçonte edhe një energji të re në përpjekjen tonë për ta shfrytëzuar me sa më shumë inteligjencë e pragmatizëm pozicionin tonë strategjik, në aspektin gjeografik, si dhe pozitën tonë në NATO, në aspektin politik e ushtarak.

Po shohim të realizuar një projekt, i cili kur erdhi si lajm ishte i pabesueshëm për shumëkënd. Madje, më kujtohet fare mirë sa shumë është përqeshur ai lajm e sa shumë komente mosbesuese janë bërë atëherë kur tre vjet më parë, lajmi u bë publik dhe sa shumë është ndjekur në vijimësi ky proces nga komente e opinione, sipas të cilave ky moment sot nuk do të vinte kurrë dhe asnjëherë nuk do të ndodhte që Kuçova të kthehej në një bazë ajrore, ku do të zbatohen 5 projekte, të ndara në 3 paketa të rëndësishme. Përveç përfitimeve në aspektin strategjik e ushtarak do të impaktohet në mënyrë afatgjatë edhe ekonomia. Në aspektin social, po ashtu, zona e Kuçovës do të ketë një përfitim, të ardhur nga qielli në këtë rast.

Shndërrimi i bazës ajrore të Kuçovës në bazë ajrore të NATO-s, u cilësua nga kryeministri Edi Rama si një mundësi e shkëlqyer për forcat tona të armatosura në ngritjen e kapaciteteve kombëtare dhe modernizimin e forcave ajrore.