Aktualitet

Kufizimet në deklarimin vullnetar të pasurive!

Në draftligjin e ri “Për amnistinë fiskale dhe penale të subjekteve që bëjnë deklarim vullnetar të pasurive”, të nxjerrë për konsultim publik javën e shkuar nga Ministria e Financave dhe Ekonomisë, përcaktohet e drejta e deklarimit vullnetar të një pasurie në vlerë monetare deri në 2 milion euro. Tatimi i përcaktuar në draftligj për vlerën e deklaruar është 7-10%. Në nenin 10 të draftligjit përcaktohet edhe mënyra e deklarimit të shumave në të holla, ndërsa në nenet vijuese, 11 dhe 12 përcaktohen kufizimet për deklarimin vullnetar të shumave në të holla si dhe përgjegjësia për zbatimin e këtyre kufizimeve.

Për deklarimin e shumave në të holla, subjekti ose përfaqësuesi i tij, pasi pajiset me formularin e deklarimit vullnetar të lëshuar nga Njësia, që është një strukturë e posaçme që do të ngrihet pranë Administratës Tatimore, dorëzon një kopje të këtij formulari për depozitimin e shumës në të holla të deklaruar në formular në një numër llogarie të hapur për këtë qëllim.

Banka apo institucioni financiar, pasi verifikon formularin për shumën në të holla që kërkohet të deklarohet, pajis subjektin ose përfaqësuesin e tij me vërtetim të depozitimit të shumës e të mbajtjes së tatimit.

Banka apo institucionet e tjera financiare, që veprojnë në kuadër të këtij ligji, njoftojnë menjëherë Njësinë mbi depozitimin e shumës në të holla dhe përputhshmërinë e kësaj shume me vlerën e deklaruar në formular.

Ndërveprimi i bankave të nivelit të dytë apo i institucioneve të tjera financiare, shkëmbimi i të dhënave dhe bashkëpunimi me Njësinë, si dhe mënyra e procedimit për këtë fazë të procesit të deklarimit vullnetar, përcaktohen me udhëzim të ministrit përgjegjës për financat.

Në nenin 11 përcaktohen kufizimet e deklarimit vullnetar të shumave në të holla. Sipas draftligjit, shumat në të holla të deklaruara në kuadër të këtij ligji nuk mund të transferohen jashtë shtetit për një periudhë 5 vjeçare nga momenti i depozitimit të tyre në përfundim të procedurës së deklarimit vullnetar.

Bankat apo institucionet financiare në të cilat janë depozituar shuma në të holla, sipas këtij ligji, informojnë subjektet që deklarojnë për kushtin e parashikuar në ligj, për rastet kur ata, pas depozitimit të shumave në llogaritë përkatëse, mund të dëshirojnë të kryejnë transferta bankare jashtë shtetit, për shumat e deklaruara sipas këtij ligji, brenda 5 viteve nga data e depozitimit të tyre.

Subjekti deklarues nuk mund t’i tërheqë shumat në të holla të depozituara deri në përfundim të afatit të zbatim të këtij ligji. Në rastet kur subjektet që kanë deklaruar shuma në të holla, dëshirojnë të transferojnë këto shuma ose ekuivalentin e tyre jashtë shtetit, përpara afatit 5-vjeçar nga data e depozitimit të tyre, u mbahet si penalitet në masën 30% të shumës së transferuar. Penalitetet e parashikuara kalojnë në llogari të thesarit në Ministrinë përgjegjëse për Financat, nga bankat dhe janë në shtesë të shumës fillestare të paguar në çastin e depozitimit të tyre, në përfundim të procedurës së deklarimit vullnetar.

Ndërsa në nenin 12 të draftligjit, përcaktohet përgjegjësia për zbatimin e kufizimeve për deklarimin vullnetar të shumave në të holla.
Sipas draftligjit, përgjegjësia për zbatimin e kufizimeve, sipas parashikimit të nenit 11 i takon; subjektit, që ka përfituar nga deklarimi vullnetar i shumave në të holla, sipas këtij ligji, në rastet kur transferimi kërkohet të bëhet nga një bankë e ndryshme nga banka në të cilën është bërë depozitimi; bankës dhe institucionit financiar në rastet kur transferimi kërkohet të bëhet në bankën në të cilën është kryer depozitimi.

Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve gjatë inspektimeve, nga hyrja në fuqi e këtij ligji, deri në 5 vjet pas përfundimit të kohës së zbatimit të tij, mban në konsideratë zbatimin e dispozitave të këtij ligji në lidhje me kufizimet e lëvizjeve të shumave në të holla jashtë shtetit.