Bota

Kufizimet nga COVID-i nuk kursejnë Mikonosin!

Në Greqinë që mbështetet gjerësisht te turizmi, autoritetet po detyrohen të zbatojnë masa të dhimbshme për të frenuar përhapjen e variantit Delta të koronavirusit.

Ashtu si në Barcelonë, në ishullin Mikonos, një prej destinacioneve më të njohur turistikë dhe që gjithashtu veçohet për jetën e natës, po zbatohen kufizime që gjithashtu përfshijnë orë policore nga 01:00 në 06:00 të mëngjesit e ndalim të muzikës në bare, klube e restorante.

Masat me efekt të menjëhershëm do të mbeten në fuqi të paktën deri më 26 korrik.

Këto ditë, Greqia fqinje po përjeton rritje të rasteve me COVID-19 dhe kryesisht për shkak të variantit Delta i njohur për përhapjen e shpejtë. Në 24 orë u njoftua për 2.700 infektime të reja në nivel kombëtar kur tre javë më parë, shifra ishte më pak se 400.

Në një tjetër vend fqinj me Shqipërinë, në Itali, po ashtu rastet me koronavirus po vazhdojnë të rriten. Sipas Ministrisë së Shëndetësisë, në një javë, shkalla e incidencës u rrit në një mesatare prej 19 infektimesh të reja për 100 mijë banorë në të gjithë vendin krahasuar me 11 të mëparshmet.

Më shumë u regjistruan veçanërisht tek të rinjtë por në spitale, numri i pacientëve në njësitë e kujdesit intensiv është lehtësuar. Varianti më ngjitës, Delta, vazhdon të përhapet në Itali e pritet të transmetohet shpejt.