Sport

Kukësi i shkakton humbjen e parë Vllaznisë dhe del në krye!

Ashtu si sezonin e kaluar, është sërish Kukësi që i shkakton humbjen e parë Vllaznisë dhe e bën këtë duke triumfuar me shifrat 2-0 në “Egnatia Arena”. Një supergol i Shqipërim Taipit në pjesën e parë dhe një tjetër me fat i Ndrecës në të dytën, u dhanë tre pikët verilindorëve, që ngjiten kështu në kuotën e 11 pikëve.

Pritej spektakël nga dy prej skuadrave me sulmin më të mirë të 5 javëve të para, megjithatë e kishte përgatitur më mirë ndeshjen tekniku Longo, që kishte hedhur në fushë një skuadër më të ekuilibruar, ndërsa shkodranët vuajtën shumë lidhjen e reparteve, për shkak edhe të mungesës së Krymit.

Krahas humbjes, Vllaznia del jo pak e dëmtuar, pasi nuk do të ketë shërbimet e kapitenit Gurishta për ndeshjen e ardhshme ndaj Tiranës, por edhe mesfushorin Mustedanagic, të dy të pezulluar.