Bota

Kundër ndikimit rus në rajon, Italia kërkon më shumë prani të Europës në Ballkanin Perëndimor!

Italia kërkon që Europa të rrisë praninë në Ballkanin Perëndimor, për të kufizuar ndikimin e Rusisë. Kështu u shpreh ministri i Jashtëm italian, Antonio Tajani, para nisjes së takimeve të organizuara nga NATO në Bukuresht.

Stabiliteti në Ballkanin Perëndimor është i rëndësishëm për paqe. Neve na duhet të ndalim rusët në Ballkanin Perëndimor, na duhet më shumë Europë. Ne duhet të mbrojmë këto shtete në Ballkanin Perëndimor, sepse është e rëndësishme që në këtë moment të punojmë së bashku, uniteti është i rëndësishëm e çon mesazh të fuqishëm te Rusia.

Për të dytën ditë radhazi, ministrat e Punëve të Jashtme të NATO-s takohen edhe sot, për të rikonfirmuar mbështetjen ndaj shteteve të brishta në kufi me Rusinë. Kjo pas shqetësimeve për destabilizimin e tyre, që prej nisjes së luftës së Moskës në Ukrainë, në fund të muajit shkurt. Një ditë më parë, aleatët e NATO-s u zotuan të vazhdojnë ndihmën ndaj Ukrainës e t’i riparojnë infrastrukturën energjetike, e dëmtuar rëndë si pasojë e bombardimeve ruse.

Shefi i NATO-s, Jens Stoltenberg tha se Moska po e përdor dimrin si “armë lufte”, se si pasojë e dëmeve në rrjetin elektrik, miliona njerëz kanë mbetur pa energji dhe ujë. Presidenti rus, Vladimir Putin e konsideron luftën si “operacion special ushtarak” për të çmilitarizuar Ukrainën. Perëndimi iu përgjigj Rusisë, duke i goditur ekonominë me sanksione të ashpra.

Komisioni Europian sot propozoi një plan për të konfiskuar asetet e ngrira ruse. Presidentja Ursula von der Leyen:

Ne bllokuam 300 miliardë euro të rezervave të Bankës Qendrore të Rusisë dhe 19 miliardë euro të oligarkëve rusë. BE-ja mund të menaxhojë paratë në periudhë afatshkurtër e më pas t’i investojë.

Plani është që paratë të mund të ndahen për Ukrainën, si kompensim për dëmet nga lufta.

Do të punojmë me partnerët për një marrëveshje ndërkombëtare, që ta bëjmë të mundur këtë. Do të tentojmë të gjejmë rrugë ligjore. BE-ja po propozon edhe krijimin e një gjykate speciale, të mbështetur nga Kombet e Bashkuara për të hetuar e gjykuar krimet e kryera nga Rusia.