Bota

Kundër reformës së pensioneve, mocion mosbesimi për qeverinë e Francës!

Dita e sotme paraqitet e vështirë për qeverinë franceze që duhet të përballet me dy mocione mosbesimi. Kjo në kohën kur institucionet po “bombardohen” me kritika për shkak të reformës së pensioneve, shumë e debatuar dhe e kundërshtuar.

Kryeministrja e Francës, Elisabeth Borne është mbështetur në nenin 49.3 të Kushtetutës. Këtë e bëri për të shtyrë përpara projektligjin, pa pasur nevojë për votim parlamentar. Për këtë arsye, javën e kaluar, mijëra persona protestuan në Francë.

Mocionet e mosbesimit janë ngritur nga deputetët e qendrës e të ekstremit të djathtë, “Tubimi Kombëtar”. Debati parlamentar do të mbahet më vonë gjatë kësaj të hëne. Nëse kalojnë mocionet e mosbesimit, presidenti Emmanuel Macron nuk rrezikon të shkarkohet, por qeveria rrezikon të bjerë dhe ky nuk është një lajm i mirë për shefin e Elizesë.

Në një rast të tillë, Macron ka dy alternativa: e para, të mund të emërojë një qeveri të re. E dyta, të shpërndajë Parlamentin e të thërrasë zgjedhje të reja.

Por, nëse nuk kalojnë mocionet, atëherë projektligji do të rrisë moshën e daljes në pension nga 62 në 64-vjeç. Emmanuel Macron ka argumentuar se popullsia e vjetër e Francës bën që skema aktuale e pensioneve të jetë e papërballueshme për shtetin francez. Por, këtë mendim nuk e ndajnë të gjitha grupet parlamentare. Aleatët e Macronit janë pakicë në Dhomën e Ulët të Asamblesë Kombëtare dhe që të kalojnë mocionet, e gjithë opozita franceze duhet të bashkohet.

Partia Republikane e Francës ka 61 vende e javën e kaluar, lideri i kësaj partie, Erci Ciotti bëri të qartë se nuk do të mbështesë mocionet. Ndërkaq, një zyrtar i lartë i të njëjtit subjekt politik vuri në dukje se do të votojë për rrëzimin e qeverisë. Përveç protestave që çuan në përplasje me forcat e rendit, Franca  po përballet edhe me greva të punëtorëve, greva që pritet të vazhdojnë nëse rritet mosha e daljes në pension.