Sport

“Kupa e Botës” e polemikat për sigurinë e LGBTQ+, zyrtari i FIFA-s: Jam një gay në Katar!

Në Doha, ish-prezantuesi i lajmeve të Sky Sports, Bryan Swanson u ngrit në këmbë përpara sallës së gazetarëve, duke këmbëngulur se Kupa e Botës në Katar që nis sot, është e sigurt edhe për homoseksualët. Swanson, i cili aktualisht është drejtor i FIFA-s për marrëdhëniet me median, iu drejtua një konference për shtyp, pasi presidenti i FIFA-s, Gianni Infantino foli për gati një orë duke mbrojtur në mënyrë të fuqishme Katarin, ligjet për trajtimin e homoseksualëve e punëtorëve emigrantë, si dhe vendimin e 2010-ës të ekzekutivit të futbollit botëror, për të organizuar Kupën e Botës në Katar.

Unë jam ulur këtu në një pozicion të privilegjuar, në një skenë globale, si homoseksual, këtu në Katar. Kemi marrë garanci se të gjithë janë të mirëpritur dhe besoj se të gjithë do të jenë të mirëpritur në këtë Botëror. Vetëm për shkak se Gianni Infantino nuk është homoseksual, kjo nuk do të thotë se atij nuk i intereson. Ju shihni anën publike, unë shoh atë private. U mendova gjatë nëse duhej ta përmendja këtë gjatë kësaj konference për shtyp.

Ndërhyrja e Swanson-it, i cili zgjodhi të bëjë “coming out” erdhi pasi Infantino nisi një sulm befasues ndaj Perëndimit, të cilin e cilësoi “racist” dhe “hipokrit” pas kritikave ndaj Katarit.

Kjo kritikë është thellësisht e padrejtë. Nuk fillohet me akuza dhe ofendime. Ju duhet të filloni të angazhoheni. Kemi dëgjuar shumë mësime morale nga Europa, si dhe bota perëndimore. Reforma e ndryshimi kërkojnë kohë. E vetmja mënyrë për të krahasuar rezultatet është duke u angazhuar dhe dialoguar, jo me sulme dhe fyerje!

Për tifozët homoseksualë, mund të konfirmoj se të gjithë janë të mirëpritur. Kushdo që thotë të kundërtën, nuk është opinioni i vendit apo i FIFA-s. Çdokush që vjen në Katar duhet të jetë i mirëpritur e është i mirëpritur. Të çfarëdolloj feje, race, orientimi seksual. Kjo është kërkesa jonë dhe shteti i Katarit do t’i përmbahet kësaj.