Sport

Kupa e Botës, mediat botërore sportive “masakrojnë” Katarin!

Dita e dytë e Botërorit të Futbollit në Katar, tre sfida të parashikuara për sot. Në orën 14:00, Anglia përballet me Iranin, në 17:00, sfida Senegal-Holandë e në 20:00 të mbrëmjes, Amerikë-Uells. Kujtojmë se sfida hapëse mes Katarit dhe Ekuadorit përfundoi 0-2, me një paraqitje zhgënjyese të vendit organizator.

Ndërsa organi qeverisës i futbollit FIFA e quajti “shumë argëtuese” hapjen e Kupës së Botës mes mikpritësve të Katarit dhe Ekuadorit, media sportive anembanë globit kishte një pikëpamje të ndryshme për fillimin e turneut.

Në Spanjë, “El Pais” thekson se ndërsa emiri i Katarit, Sheikh Tamim bin Hamad Al Thani, festoi diversitetin në ceremoninë e hapjes, ai e pa ndeshjen “në një kuti VIP me pothuajse asnjë grua”.

“Marca” shprehet se “Katari ishte në gjendje të përdorte para” për të ndërtuar arena me ajër të kondicionuar, por “jo për të luajtur futboll të mirë. Në futbollin elitar, kjo është pothuajse e pamundur pa talent”.

Dhe nëse kishte ndonjë dyshim për këtë, Kupa e Botës, kompeticioni sportiv më kërkues dhe spektakolar në botë, mori vetëm tre minuta për të na kujtuar këtë.

Francezja “L’Equipe” nënvizon se “Katari nuk e ka nivelin për të luajtur një rol në botëror” dhe përmendi largimin në masë të tifozëve gjatë pjesës së dytë, pasi stadiumi “Al Bayt” ishte gjysmë bosh në pjesën e dytë të ndeshjes.

“Kur folësi i stadiumit tha me krenari se kishte 67 mijë spektatorë në tribunat e stadiumit Al Bayt, shumë prej tyre ishin larguar prej kohësh”, – shkruante gazeta italiane “La Repubblica”.

Shumë kritik për këtë ngjarje të madhe sportive ishte “The Telegraph” në Britaninë e Madhe, që u kujdes të vinte në dukje se “ceremonia e hapjes ishte një vitrinë e një përplasjeje unike midis një organizate të korruptuar, të fiksuar pas parave, si dhe një regjimi me një qasje mesjetare ndaj të drejtave civile e sigurisë së punës”.