Sport

Kupa e Botës nis mbarë për Zvicrën, fiton ndaj Kamerunit!

Zvicra e nis me “këmbë” të mbarë rrugëtimin në Kupën e Botës Katar 2022, ndërsa ia ka dalë të fitojë një ndeshje shumë të vështirë përballë Kamerunit. Përfaqësuesja zvicerane mori fitoren minimale 1-0 e momentalisht edhe kreun e Grupit G, ndonëse ende nuk është luajtur sfida mes Brazilit dhe Serbisë, që nis sonte në orën 20:00.

Pjesa e parë e këtij takimi u mbyll pa gola, por vlen të theksohet se ekipi kamerunas pati disa raste të mira për të shënuar, ndonëse pa mundur të finalizonte siç duhej.

Nga ana tjetër, Zvicra mundi që të marrë avantazhin e të shënojë golin e vetëm të kësaj sfide në minutën e 48-të kur Embolo shënoi pas një asisti nga Xherdan Shaqiri.  Edhe Granit Xhaka bëri një performancë të mirë në takimin debutues në Katar 2022. Pas ndeshjes së parë, Zvicra ka tre pikë. Kameruni, zero.

Me praninë ndaj Kamerunit, Xherdan Shaqiri hyri në historinë e kombëtares së Zvicrës. 31-vjeçari i cili luan në MLS me Chicago Fire ka marrë pjesë në katër edicione të Kupës së Botës (2010, 2014, 2018 dhe 2022). Me këtë statistikë, Shaqiri arrin Valon Berhamin që ka zbritur në fushë me përfaqësuesen e Zvicrës në Kupat e Botës të viteve 2006, 2010, 2014 dhe 2018.

Dy lojtarët e Zvicrës me më shumë prezenca në Kupat e Botës, janë që të dy me origjinë shqiptare.

Uruguai dhe Koreja e Jugut janë gati për Botërorin “Katar 2022”. Në orën 14:00 fillon e para përballje e Grupit H që zhvillohet në “Education City Stadium”, me kapacitet prej 44.667 tifozësh. Dueli tjetër i këtij grupit është ai mes Portugalisë e Ganës (17:00).

Dy herë kampionët e botës, vijnë në fushë me skemën 4-1-2-3. Diego Alonso ka zgjedhur Luis Suarez në majë të sulmit. “El Pistolero” do të mbështetet nga Darwin Nunez dhe Facundo Pellisteri, 20-vjeçari i Manchester United.

Edinson Cavani do e fillojë nga stoli Kupën e Botës së katërt. Matias Vecino luan përpara mbrojtjes, që në qendër ka dyshen e përhershme Diego Godin-Jose Maria Gimenez, ndërsa më të avancuar se mesfushori i Lazios do të jenë Federico Valverde dhe Rodrigo Bentancur.
Kombëtarja aziatike përgjigjet me skemën 4-2-3-1. Kapiteni Heung-Min Son ia ka dalë të rikuperohet dhe do e nisë ndeshjen si titullar në krahun e djathtë të sulmit, ndërkohë që në majë është zgjedhur Ui-Jo Hwang, 30-vjeçari i grekëve të Olympiacosit.