Sport

Kupa e Shqipërisë/ Raundi i 1/8 fitojnë Partizani, Tirana dhe Vllaznia, Kastrioti mund Dinamon!

Partizani rikthehet tek fitorja por këtë gjë e bën në fazën e 1/8 të Kupës së Shqipërisë ku në ndeshjen e  parë të këtij raundi u përball me Korabin e Peshkopisë duke e mundur me shifrat 3-1.

Protagonist i takimit u bë ish-i i skuadrës dibrane Xhuljano Skuka i cili shënoi dy nga 3 golat për demat e kuq.

Pjesa e parë u mbyll me rezultatin 0-1 falë golit të shënuar në minutën e 38-të të ndeshjes. Në pjesën e dytë ishte përsëri Skuka, në minutën e 53-të që shënoi edhe golin e dytë të Partizanit dhe të dytin personal.

Më pas Beshiraj ngushton rezultatin në 1-2, por Murataj vulos sfidën në minutën e 81-të, duke çuar rezultatin në 1-3 dhe duke i dhënë një fitore që e mban më pranë kualifikimit për në fazën tjetër.

Edhe skuadra tjetër e kryeqytetit Tirana ka fituar këtë ndeshje të parë të raundit të 1/8-ave përball Lushnjes me shifrën e parë 3-0. Të tre golat u shënuan në pjesën e parë. Patrick ishte autori i dy golave, përkatësisht në minutën e 11-të dhe të 20-të, ndërsa goli i tretë erdhi nga Hila në të 23-tën.

Vllaznia triumfoi me rezultatin 0-2 në Ballsh kundër Bylisit. Ishte një gol nga Jonuzi në pjesën e parë që vendosi fatet e kësaj sfide, me skuadrën e Bellait që provoi, por pa arritur të krijonte shumë rrezikshmëri.

Në fund më pas ishte Kaina i cili i dha goditjen përfundimtare ballshiotëve.

Kështu Vllaznia shkon më e qetë në ndeshjen e dytë në Shkodër, ndërsa Bylisi duhet të mendojë një mënyrë për të përmbysur rezultatin.

Ndërkohë që skuadra e tretë e kryeqytetit aktualisht kryesuese e Kategorisë së Parë u mund nga Kastrioti me shifrat 3-1 duke vështirësuar ndjeshëm avancimin për më tej në Kupën e Shqipërisë.

Ndërkohë ditën e mërkurë do të luhen edhe 3 sfidat  tjera t kësaj faze të Kupës së Shqipërisë Apolonia-Kukësi, Erzeni-Teuta dhe Skënderbeu-Egnatia, që nisin po në ora 13:00.

Ndeshjet e kthimit të turit të 1/8 do të luhen më datën 2 shkurt. Sipas kalendarit të përcaktuar tashmë ndeshjet e para të turit të 1/4-at do të zhvillohen më 1 mars, ndërsa ndeshjet e kthimit më 15 mars.

Finalja e madhe e Kupës së Shqipërisë për këtë edicion do të luhet më datën 1 qershor.