Rajoni

Kurti fton shqiptarët në Serbi, të marrin pjesë në regjistrimin e popullsisë!

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, fton shqiptarët që jetojnë në Serbi, të marrin pjesë në procesin e regjistrimit të popullsisë e të pronës, që pritet të zgjasë deri në fund të muajit. Përmes një video-mesazhi të publikuar në rrjetet sociale, Kurti tha se “shqiptarët që jetojnë në Serbi, vazhdimisht përballen me diskriminim kombëtar e njerëzor e së fundmi, edhe me pasivizimin e adresave të tyre”. Sipas tij, “për shqiptarët, ky proces nuk është vetëm çështje statistike”.

Si kryeministër i Republikës së Kosovës, ftoj shqiptarët që jetojnë në Serbi e në veçanti në komunat Preshevë, Medvegjë e Bujanoc, që t’i përgjigjeni regjistruesve, duke regjistruar veten e familjarët! Ju ftoj që shtypjes t’i përgjigjeni me regjistrim! T’i përgjigjeni pasivizimit duke regjistruar çdo shqiptar. Edhe ata që gjenden me banim të përkohshëm në diasporë e Kosovë. Dëshmoni me vendosmëri që jeni aty!

Në jug të Serbisë, shqiptarët në Preshevë, Medvegjë e Bujanoc bojkotuan regjistrimin e popullsisë në vitin 2011. Referuar vlerësimeve të bashkësisë ndërkombëtare, në Serbi jetojnë rreth 60 mijë shqiptarë, kryesisht në Luginën e Preshevës. Vazhdimisht, partitë politike të shqiptarëve në Serbi janë ankuar se përballen me diskriminim. Po ashtu kanë shprehur shqetësimin për “pasivizimin e adresave”, që sipas tyre “bëhet për të ndryshuar strukturën etnike të tre komunave”.

Vitin e kaluar, Komiteti i Helsinkit në Serbi tha se “që të ulë numrin e shqiptarëve në Luginën e Preshevës, Beogradi zyrtar po kryen procesin e “pasivizimit të banorëve shqiptarë” që jetojnë jashtë Serbisë: në Kosovë apo në shtetet europiane”.

Në thelb, kjo është një formë e spastrimit etnik përmes mjeteve administrative.

Personat që u pasivizohen adresat, nuk mund të pajisen me letërnjoftim apo pasaportë të re.

Rrjedhimisht, atyre u ndalohet të regjistrojnë makinën, të blejnë apo shesin prona, të kenë akses në kujdesin shëndetësor e në shërbimet sociale, si dhe të votojnë në zgjedhje parlamentare apo lokale”.