Rajoni

Kurti për bisedimet me Serbinë: “Nuk ishin të padobishme!”

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti tha se “në vitin 2022 është i gatshëm për takime, në kuadër të dialogut me Serbinë”, të ndërmjetësuar nga Bashkimi Europian. Në një konferencë shtypi, pas mbledhjes së sotme të Qeverisë, Kurti u shpreh se “në vitin 2021, procesi i bisedimeve në Bruksel nuk ishte i padobishëm”. Nga Serbia, shefi i qeverisë së Prishtinës kërkoi më shumë gatishmëri, që të rritet intensiteti i bisedimeve.

Kur zhvillohen takimet në Bruksel nuk varet prej meje, duke qenë se unë kam shprehur gatishmërinë time. Besoj që në vitin e ardhshëm do të ketë edhe ftesa përkatëse për një dialog që i kontribuon paqes së qëndrueshme.

Kurti e konsideron “arritje të mirë të dialogut”, marrëveshjen e përkohshme lidhur me targat e automjeteve, që mundësoi zhbllokimin e pikave kufitare mes Kosovës e Serbisë, të bllokuara nga serbët. Më 20 shtator 2021, Prishtina zyrtare nisi zbatimin e masës së reciprocitetit në targat e makinave, çka nënkuptonte se automjetet e regjistruara në Serbi duhej të hiqnin targat e tyre në të parën pikë kufitare me Kosovën dhe të vendosnin ato të përkohshme. Vendimi u kundërshtua nga serbët, të cilët bllokuan pikat e kalimit kufitar në Jarinjë e Bërnjak.

Më 30 shtator u arrit marrëveshja mes palëve në Bruksel, që përcaktoi largimin e bllokadave nga rrugët, si dhe të njësive speciale të Policisë së Kosovës, vendosjen e letrave me ngjitje në targat e automjeteve, në pjesën ku shihen simbolet shtetërore.

Kjo marrëveshje është në fuqi deri në prill të vitit 2022, muaj kur duhet të pasohet nga një akord përfundimtar. Në vitin që po lemë pas, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç janë takuar dy herë: në qershor e në korrik. Asnjë prej këtyre takimeve nuk u mbyll me ndonjë marrëveshje. Ndërkaq, dialogu mes Kosovës dhe Serbisë ka nisur që prej vitit 2011 e vijon ende.