Rajoni

Kurti tregohet i prerë: Marrëveshja përfundimtare me Serbinë, vetëm me njohje reciproke!

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka ritheksuar se marrëveshja përfundimtare me Serbinë duhet të ketë në qendër njohjen reciproke.

Duke komentuar dokumentin që ka qarkulluar për marrëveshjen finale, kreu qeveritar tha se të njëjtat janë pa autorë dhe bëhen vetëm për të matur pulsin e qytetarëve dhe politikanëve. Andaj tha se nuk është e dobishme t’i komentojë ato.

“Ky normalizim i raporteve duhet të bëhet me marrëveshje ndërkombëtarisht ligjërisht të obligueshme dhe në qendër të saj duhet të jetë njohja reciproke. Qarkullojnë dokumente të ndryshme, por unë besoj se nuk është e dobishme dhe e drejtë që unë t’i komentojë ato. Dokumente të cilat nuk kanë autorë por bëhen për të matur pulsin e qytetarëve dhe politikanëve. Mirëpo dialogu ku unë marrë pjesë janë ato bisedime e takimeve në Bruksel dhe vetëm atje dokumentet që prodhohen duhet t’i merrni si zyrtare dhe të denja për t’u komentuar nga ana ime dhe unë nganjëherë do të thosha edhe nga ana juaj. Nuk është mirë të bëjmë komente për komente, autori i të cilave nuk dihet”, tha ai.

Në konferencën për medie të mërkurën, pas samitit digjital të Ballkanit Perëndimor, që po mbahet në Prishtinë, Kurti foli edhe për grevën në arsim.

Ai u shpreh i vendosur në qëndrimet tij dhe tha se ekzekutivi ka bërë disa hapa përpara, mirëpo shantazhi nga grevistët nuk po pushon.

Për këtë çështje, Kurti tha se pasdite do të takohet me Sindikatën Evropiane të Arsimit.

“Kompensimi prej 50 eurove bëhet për t’u përballur me inflacionin, jo si zëvendësim për projektligjin për pagat, i cili tashmë ka dal në diskutim publik dhe i cili natyrisht se do të sillet në fund të Kuvend. Unë jam i bindur se zgjidhja më e mirë, më e drejtë dhe më e dobishme është që edhe mësimdhënësit të shkojnë në shkollë që të japin mësim edhe nxënësit të shkojnë në shkollë të mësojnë. Kjo është e domosdoshme për dinjitetin e të gjithëve, por edhe për zhvillimin e mbarë shoqërisë sonë… Duhet të gjejmë një zgjidhje sa më parë, mirëpo ne kemi bërë shumë hapa, ajo çfarë nuk kemi parë është pushimi i shantazhit se ose kaq, ose nuk shkojmë në punë. Duhet të keni parasysh se për të mbajtur dhe mirëmbajtur drejtësinë në vend të gjithë njerëzit që përfitojnë paga duhet të kryejnë punën meritore për ato paga që i marrin”, shtoi ai.

I pyetur për planifikimin për atentat ndaj tij në vitin 2021, i cili doli në publik disa ditë më parë, kryeministri Kurti tha se ai ndihet i sigurt, por nuk e di se a është i tillë, pasi këtë e vendosin institucionet e sigurisë.

“Sa jam i sigurt nuk e di, por unë mundem t’iu konfirmoj se ndihem i sigurt. Ndërkaq sa jam i sigurt e vendosin organet e sigurisë që i marrin masat adekuate. Është e vërtet që unë kam qenë në dijeni të planit për ato tri atentatet, por e keni pa edhe nga informacioni që ka dal, se qëllimi ishte frikësimi i popullsisë, destabilizimi i vendit. Andaj kemi vlerësuar se publikimi i atij plani nuk ndihmon, përkundrazi ndihmon ata që kanë bërë planin. Pra besoj se me të drejt kemi vlerësuar që mos të bëhet publike”, theksoi Kurti.

Ai foli edhe për vendimin e djeshëm të Qeverisë të Kosovës për shpronësimin e disa tokave në veri.

“Sa i përket çështjes së shpronësimeve në Bërnjak dhe Jarinje, gjithçka që është vendosur nga qeveria jonë është brenda ligjit, nuk po shkelen të drejtat e qytetarëve atje, as kushtetuta apo ligji, e vetmja gjë që është e rëndësishme për ne është që të kemi sundim të ligjit për të gjithë pa diskriminim, por edhe që të mos ketë rrugë ilegale në veri të Kosovës, sepse unë jam për lirinë e lëvizjes, por liria e lëvizjes duhet të vendoset në rrugët publike legale. Prandaj çdo gjë që bën policia jonë atje nuk është kurrë kundër serbëve apo qytetarëve të tjerë në bazë të përkatësisë së tyre kombëtare apo fetare, por vetëm për të mbrojtur ligjin dhe kushtetutën dhe mos të ketë kontrabandë apo rrugë ilegale”, tha ai.