Aktualitet

Kush është përgjegjës për shtimin e rasteve të krimit brenda familjes?! Ja çfarë zbulon sondazhi i TAR!

Gushti u mbyll me një bilanc të frikshëm të ngjarjeve kriminale. 13 të tilla u regjistruan në vend, me 16 të vrarë. Muaji i tetë i vitit 2022 shënon rekord të viteve të fundit për vrasjet, dhe krahasuar prej 2017-ës, krimet janë trefishuar.

Të 16 viktimat janë vrarë për motive të dobëta dhe krim brenda familjes. Për këtë arsye policia e pati me të lehtë për identifikimin e autorëve, por disa prej tyre nuk janë arrestuar.

Nga 2017-a deri në 2021-shin në gusht u regjistruan respektivisht katër, tre, shtatë, gjashtë dhe katër vrasje. Pra gushti që lamë pas mban rekordin e pesë viteve të fundit krahasuar edhe me çdo muaj tjetër të vitit.

Lidhur me këtë, ne në Top Albania Radio ngritëm një sondazh për të mësuar më shumë lidhur me mendimin e publikut. Pyetja që bëmë në faqen tonë të web-it ishte, ‘kush është përgjegjës për shtimin e rasteve të krimit brenda familjes?’ Shumica e atyre që janë përgjigjur janë shprehur se përgjegjës është mentaliteti patriarkal me 46%. Më pas përgjegjës për krimin e familjes kanë bërë shtetin e dobët, me 29%, gjendjen ekonomike të rënduar me 21% dhe vetëm 4% mendojnë se rastet janë të mëvetshme dhe nuk është asnjëra nga alternativat përgjegjëse.

Nga ana tjetër, kemi ngritur një sondazh të ri ku mund të votoni për të dhënë mendimin tuaj. A rrezikon realisht Shqipëria nga shitja e të dhënave pas sulmit kibernetik? Votoni këtu!