Bota Botë e Çuditshme

Kush është vendi me emrin më të gjatë në Europë?!

Me plot 58 shkronja, të shkruara së bashku pa asnjë hapësirë, emri i pazakontë i “Llanfairpwllgwyngyllgogerychwyrndrobwllllantysiliogogoch” në Uells padyshim që bie shumë në sy për shkak të gjatësisë së tij. Ishulli Anglesey në bregun veriperëndimor të Uellsit është një vend paqësor ku shumë pak turistë shkojnë kaq larg, pasi nuk ka shumë atraksione në këtë vend.

Megjithatë, ky ishull ka një histori të rëndësishme, sepse Anglesey ose Ynys Môn, siç quhet në gjuhën e Uellsit ka qenë një qendër e kulturës druide dhe për shumë shekuj shërbeu si një vend strehimi për priftërinjtë e lartë keltë. Mite të shumta rreth kësaj periudhe kanë mbijetuar deri në ditët e sotme. Dhe një vend duket veçanërisht si një relike nga kjo epokë.

Llanfairpwllgwyngyllgogerychwyrndrobwllllantysiliogogogoch është emri i fshatit me 3,000 banorë në juglindje të ishullit. I përkthyer, ky emër do të thotë: “Kisha e Marisë në Luginën e Lajthisë së Bardhë pranë Vorbullës së Fortë dhe Kisha e Tysilio pranë Shpellës së Kuqe”.

Me plot 58 shkronja, ky është emri më i gjatë ndër të gjitha emrat e vendeve në Europë. Shqiptimi i këtij emri në mënyrë të saktë është një mision pothuajse i pamundur për ata që nuk flasin gjuhën e Uellsit, madje edhe ata që jetojnë në ishull e quajnë këtë fshat thjesht “Llanfairpwll”, për lehtësi.

Por, nëse dyshonit se ky emër mund të ishte një trashëgimi e Keltëve, e keni gabim. Emri pothuajse i pashqiptueshëm është në fakt një shpikje e kohëve të fundit. Fshati u lidh me rrjetin hekurudhor në mesin e shekullit të 19-të.

Aty u vendosën shumë zejtarë dhe tregtarë, por biznesi nuk po ecte edhe aq shpejt. Një rrobaqepës i zgjuar shpiku këtë emër të pashqiptueshëm, për ta bërë vendin më interesant. Strategjia e tij krijuese funksionoi, pasi ky fshat në Uells u bë i njohur në mbarë Mbretërinë e Bashkuar dhe tërhoqi një numër të lartë vizitorësh. Sot, njerëzit vazhdojnë të intrigohen nga fshati për shkak të emrit të tij të pazakontë, me tabelën në stacionin hekurudhor që është bërë një imazh shumë i njohur për foto nga turistët.

Emri i pazakontë i këtij fshati bëri të mundur që Llanfairpwll të hyjë në Librin e Rekordeve Guinness në vitin 2002: për emrin më të gjatë në botë të domenit në internet.