Bota

Kush hyn në Austri duhet të respektojë masat anti-COVID/Rregullat e reja!

Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme informoi sot mbi rregullat e reja të vendosura nga Austria për hyrjet në vend. Duke filluar nga sot, personat që udhëtojnë drejt Austrisë duhet të tregojnë certifikatën e vaksinimit, plus një test PCR të 72 orëve të fundit, ose certifikatën me dëshminë e shërimit nga COVID-19 (e vlefshme 180 ditë), plus një test PCR të 72 orëve të fundit.

Nga detyrimi për të paraqitur test PCR negativ përjashtohen vetëm ata që kanë marrë dozën e tretë të vaksinës ose përforcuesen. Të vaksinuar plotësisht konsiderohen ata që kanë marrë të dyja dozat e AstraZeneca, Covishield, BioNtech/Pfizer, Moderna, Sinopharm ose Sinovac.

Për ata që janë vaksinuar me një dozë Johnson & Johnson të paktën 22 ditë para mbërritjes, është e vlefshme vetëm deri më 3 janar 2022. Pas kësaj kërkohet një vaksinim përforcues. MEPJ informon se në mungesë të një testi PCR, në momentin e mbërritjes në Austri, udhëtarët duhet të izolohen derisa të paraqesin një test negativ PCR.
Certifikata e vaksinës është e vlefshme për 270 ditë pas dozës së dytë për vaksinat me 2 doza. Ndërsa certifikata e vaksinës pas dozës së tretë ose përforcuese është e vlefshme për 270 ditë nga vaksinimi i tretë.

Certifikata e vaksinimit për ata që kanë kaluar COVID-19 dhe janë vaksinuar është e vlefshme për 270 ditë pas marrjes së një doze.
MEPJ informon se certifikatat për vaksinat Covishield, Sinopharm dhe Sinovac pranohen vetëm për të hyrë në Austri, por nuk pranohen për të hyrë në asnjë lloj ambienti, si hotele, restorante, bare, etj.

Certifikata, e cila dëshmon shërimin nga COVID-19 është e vlefshme vetëm për 180 ditë, ndërkohë që testi i antitrupave nuk është më i vlefshëm për të hyrë në Austri.
Nuk nevojitet plotësimi i formularit para udhëtimit (Pre Travel Clearance) kur hyni në Austri dhe mund të tregoni prova të vaksinimit të plotë me 3 doza, ose 2 doza plus PCR.