Music

Kush tha që femrat nuk mund t’i bëjnë të gjitha?! Keli Gavelli, një talent i ri e vërteton këtë!

Me keqardhje mund të themi se nuk janë të shumtë të rinjtë që preferojnë muzikën klasike apo e praktikojnë atë, por ka nga ata që përpos e preferojnë, janë dhe shumë të talentuar.

Bëhet fjalë për një vajzë e cila ka studiuar intensivisht për 9 vite në piano, por më pas, shumë papritur vendosi të ndryshojë krejtësisht rrugën e saj duke zgjedhur një instrument tjetër të quajtur Korno, ose ndryshe njihet si “French Horn”.

Korno i përket familjes së instrumenteve frymorë të tunxhit dhe përdoret në formacione të ndryshme muzikore të muzikës klasike por dhe asaj jazz.

Të shumtë janë artistët që kanë zgjedhur këtë instrument për të luajtur, e të gjithë janë meshkuj. Por Keli Gavelli bëri një revolucion, duke u cilësuar si femra e vetme në vend që ka zgjedhur të performojë me Korno. Ky instrument kërkon një përkushtim të madh dhe shumë energji e fuqi për të dhënë një performancë të denjë.

Së fundmi Keli ka bërë një bujë të madhe me daljen e saj në skenë, si dhe ka qenë e pranishme në shumë intervista ku ka shprehur dashurinë e saj për muzikën dhe se si ndihet që është femra e vetme në Shqipëri që luan këtë instrument.

Ajo gjithashtu ka publikuar projektin e saj të parë, i cili është një ripërpunim të “Eposit të Skënderbeut”.