Aktualitet

Kushtetuesja me 9 anëtarë, ambasadorja Kim: Moment kyç në zbatimin e Reformës në Drejtësi!

Ambasadorja e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Yuri Kim reagoi sot për betimin e Gent Ibrahimit si gjyqtari i 9-të i Gjykatës Kushtetuese.

Gjyqtari i 9-të i Gjykatës Kushtetuese të Shqipërisë u betua. Gjykata Kushtetuese arriti funksionalitetin në dhjetor 2020 me 7 gjyqtarë. Tani, për herë të parë që nga tetori i vitit 2016, Gjykata Kushtetuese ka trupë të plotë. Ky është një moment kyç në zbatimin e reformës në drejtësi. Gur mbi gur!

Ky ishte rezultati i bashkëpunimit midis institucioneve, përfshi Presidencën, Parlamentin, Këshillin e Emërimeve në Drejtësi, Gjykatën e Lartë.

Hapi tjetër: Presim plotësimin e trupës së Gjykatës së Lartë në fillim të vitit tjetër, që më shumë çështje të përpunohen në kohë. Urime dhe suksese!

Gent Ibrahimi është gjyqtari më i ri i Gjykatës Kushtetuese, duke arritur të dalë fitues në garën me gjyqtaret Arta Vorpsi e Arta Marku. Ai u shpall fitues me 88.38 pikë dhe zëvendëson Përparim Kalon, të cilit i mbaroi mandati. Ditë më parë, dekretimi u bë nga Presidenti i Republikës, Bajram Begaj.

Presidenti i Republikës, pasi u njoh dhe vlerësoi praktikën dokumentare të vendimmarrjes së Këshillit të Emërimeve në Drejtësi, si dhe duke vlerësuar nevojën për plotësimin dhe funksionimin e Gjykatës Kushtetuese, në mbështetje të neneve 93, 125 pika 1, 127 pika 3, 129, 149/d pika 1, të Kushtetutës të Republikës së Shqipërisë, neneve 7, 7/a pika 4, 7/b, të ligjit nr.8577, datë 10.02.2000, “Për organizimin dhe funksionimin e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë”, të ndryshuar, me Dekretin nr. 13877, datë 7.12.2022, ka vendosur që: z. Genti Ibrahimi të emërohet gjyqtar në Gjykatën Kushtetuese.

Më herët ishte Këshilli i Emërimeve në Drejtësi (KED) që bëri shqyrtimin e tre kandidaturave për vakancën në Gjykatën Kushtetuese. Sipas renditjes bazuar në pikët më të larta, kryesoi si i përzgjedhur i pari, Gent Ibrahimi, i ndjekur nga Arta Vorpsi si e dyta dhe më pas, Arta Marku, si përzgjedhje e tretë.