Aktualitet Politikë

Kuvendi, debate opozitë-qeveri për Reformën në Drejtësi!

Debate në seancë plenare për Reformën në Drejtësi. Deputetja demokrate, Jorida Tabaku tha se “të rinjtë po largohen pasi drejtësia e vonuar po u vret shpresën”. Tabaku pyeti se “në çfarë faze janë hetimet e SPAK-ut për aferën e inceneratorëve apo dosje të tjera?”.

Ku është drejtësia që aq shumë e kërkuam, që e votuam për t’u reformuar 140 deputetë, ndërsa një aferë korruptive prej 430 milion eurosh si ajo e tre inceneratorëve vazhdon të marrë para’ nga Buxheti i Shtetit?!

Përse hesht drejtësia që duhej të na tregonte se nuk ka të paprekshëm as në politikë, as në biznes dhe as në fushën e krimit?! Nga se ka frikë kjo drejtësi; nga ligji apo nga politika?! Në një shtet të së drejtës, në një shtet ku sundon ligji dhe jo Maliqi përgjigja është e qartë. Ka një arsye përse sot drejtësia megjithëse në mes të një reforme me dëshirën për t’i dhënë drejtësi këtij vendi, ka më shumë frikë Maliqin dhe politikën e jo Ligjin.

Mendoni që shqiptarët dhe partnerët strategjikë na besuan një Reformë në Drejtësi që të dalim e të deklarojmë se janë arrestuar dy ministra dhe një deputet?! Kjo është arsyeja përse ne ndryshuam Kushtetutën?

Të gjithë e dimë shumë mirë që SPAK-u po kërcënohet, po tundohet dhe po shtyhet mos të hetojë aty ku duhet e si duhet.

Ministri i Drejtësisë, Ulsi Manja, i vuri në dukje Tabakut se “nuk ka të drejtë t’i kërkojë llogari” dhe i kujtoi se “Reforma në Drejtësi u bë që politika të qëndrojë larg drejtësisë”.

Deri dje, drejtësia ishte në këmbët e politikës dhe u desh vullneti i kësaj shumice që drejtësia të jetë e pavarur dhe larg politikës. S’ke pse e bën më këtë pyetje në sallë. Parlamenti ka mekanizmat e veta të kontrollit parlamentar.

E dyta, ku është drejtësia sot? Drejtësia sot po bën detyrën dhe nëse keni raste ku është ndërhyrë hapur për çështje konkrete është mirë t’ua thoni shqiptarëve në këtë sallë. Sot ke ministra, ish-kolegë që po përgjigjen para drejtësisë dhe ka qenë kjo maxhorancë që e ka inkurajuar këtë drejtësi të hetojë për këdo. Dil këtu thuaj, kush është personi dhe çështja konkrete që individë brenda kësaj maxhorance na kanë intimiduar drejtësinë. Lëreni drejtësinë të bëjë punën e vet. SPAK është duke bërë detyrën. Hetimi nuk mbaron brenda ditës, ka rregullat e veta.

Tabaku i tha Manjës se “kryeministri Rama e sulmoi SPAK-un në Asamblenë e PS-së”.